PSD-ja kërkon mbështetjen e Francës për vizat dhe Interpolin

06 nëntor 2018 | 15:05

Kryetari i Partisë Socialdemokrate (PSD), Shpend Ahmeti dhe anëtari i Kryesisë së kësaj partie, Belgzim Kamberi, kanë pritur në takim drejtoreshën për Evropën Kontinentale në Ministrinë e Punëve të Jashtme të Francës, Florence Mangin, zyrtaren përgjegjëse për Republikën e Kosovës në Zyrën për Ballkan të Ministrisë së Punëve të Jashtme të Francës, Fanny Sebban, zyrtarin nga Zyra Politike, Timothee Barbier dhe ambasadorin e Francës në Prishtinë, Didier Chabert.

Në këtë takim është biseduar për marrëdhëniet ndërmjet Kosovës dhe Francës, zhvillimet politike në vend, duke përfshirë edhe dialogu me Serbinë.

Duke falënderuar autoritetet franceze për mbështetjen e vazhdueshme në shtetndërtimin e Kosovës, kryetari Ahmeti ka shprehur qëndrimin e PSD-së se Kuvendi i Republikës duhet të jetë bartës i dialogut me Serbinë, prej ku duhet të burojë platforma shtetërore, ekipi negociues dhe komision mbikëqyrës.

Ai ka thënë se presidenti Hashim Thaçi nuk ka legjitimitet për t’i drejtuar bisedimet në emër të Kosovës, e se Kuvendi i Republikës duhet t’i përcaktojë premisat mbi të cilat do të funksiononte ekipi negociues dhe parimet mbi të cilat do të negociohej një marrëveshje eventuale me Serbinë.

Duke e veçuar rëndësinë e perspektivës evropiane për rajonin, Shpend Ahmeti ka kërkuar nga shteti francez mbështetje për liberalizimin e vizave për Kosovën dhe anëtarësimin e Kosovës në Interpol.

Ndërsa zyrtarët e Republikës së Francës kanë shprehur besimin e tyre që partitë politike, të përfaqësuara në Kuvendin e Republikës së Kosovës, do ta gjejnë së shpejti një zgjidhje të përbashkët për të ecur tutje në dialogun me Serbinë, në funksion të marrëveshjes Kosovë-Serbi.

Diplomatët francezë kanë veçuar nevojën për reformën në drejtësi, e sidomos miratimin dhe zbatimin e Ligjit për konfiskimin e pasurisë së paligjshme.

/Epoka e re/

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi, sot ka pritur në takim…