Lluka: Nëse çmimi maksimal i energjisë për amvisëri kalon 80 euro atëherë tërhiqemi  nga ‘Kosova e Re’

06 nëntor 2018 | 16:48

Ministri i Zhvillimit Ekonomik (MZhE), Valdrin Lluka, ka raportuar të martën para anëtarëve të Komisionit për Zhvillim Ekonomik rreth ndërtimit të Termocentralit “Kosova e Re”.

Lidhur me pretendimet se çmimi tavan (maksimal) për amvisëri i Termocentralit “Kosova e Re” do të kalojë 80 euro, ministri Lluka ka thënë se Kosova mund të tërhiqet nga marrëveshja për “Kosovën e Re” pa asnjë ndëshkim.

Ai gjatë raportimit në këtë komision, ka sqaruar se projekti është duke u realizuar në bazë të planit. “Më 20 dhjetor të vitit të kaluar është nënshkruar marrëveshja për Termocentralin e Ri. Më 16 gusht ka përfunduar afati për aplikimin e ndërmarrjeve për ndërtimin e termocentralit. Ne presim që pjesën e parë të vitit 2019 të fillojë ndërtimi i Termocentralit ‘Kosova e Re’. Po ashtu presim që deri në fund të vitit të marrim ofertat. Siç e dini Banka Botërore nuk ka garantuar në këtë proces, por pavarësisht kësaj termocentrali do të ndërtohet. Pas ndërprerjes së përkrahjes nga Banka Botërore ‘Contur Global’ ka filluar negociata me OPIK. Projekti ka filluar dhe  është duke vazhduar në bazë të planifikimeve”, ka deklaruar Lluka.

Ndërkaq sa i përket garancisë shtetërore që duhet të kalojë në Kuvendin e Kosovës, ministri Lluka ka thënë se presin që kjo të kalojë në muajin prill të vitit të ardhshëm. “Blerja e energjisë, furnizimi me ujë dhe  furnizimi me thëngjill do të jenë 260 milionë euro. 19.7 milionë euro është kosto totale e dëmit nëse ky projekt nuk kalon”, ka thënë Lluka.

Sa i përket raportimit të ministri Lluka edhe për ndërmarrjen “Trepça”, u vendos që raportimi për këtë të bëhet në ditët e ardhshme dhe që pjesë e këtij raportimi të jetë edhe Bordi i “Trepçës”.

(A.MAVRAJ)

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Reali i Madridit dështoi sërish në përpjekjen për të sjellë…