Ministri Shala: Masa mbrojtëse për produktet e importuara nga Serbia dhe Bosnja do të mbetet në fuqi

07 nëntor 2018 | 15:56

Qeveria e Kosovës në mbledhjen mbajtur të martën ka vendosur masë mbrojtëse për produktet e importuara nga Serbia dhe nga Bosnja dhe Hercegovina. Masa mbrojtëse nënkupton taksën prej 10 përqindësh të të gjitha produkteve që importohen në Kosovë dhe kanë për vend të origjinës Serbinë dhe Bosnjë dhe Hercegovinën.

Përjashtim nga kjo masë do të bëjnë produktet e brendeve ndërkombëtare të prodhuara në këto dy vende.

Ministri i Tregtisë dhe Industrisë (MTI), Endrit Shala, në një deklaratë për gazetën “Epoka e re”, ka theksuar se Qeveria e Kosovës ka qenë e obliguar që të ndërmarrë masa ndaj importeve të shtetit të Serbisë dhe Bosnjë Hercegovinës në mënyrë që t’i mbrojë prodhuesit vendorë dhe që mos të falimentojnë bizneset vendore.

“Si Ministri e Tregtisë dhe Industrisë duke parë atë se si Serbia dhe Bosnjë Hercegovina po sillen për sa kohë me Republikën e Kosovës, në këtë rast se si ata përdorin masa për t’i mbrojtur produktet e tyre që i importojnë në Kosovë morëm vendimin për masën mbrojtëse për produktet e importuara nga Serbia dhe nga Bosnja dhe Hercegovina. Në vazhdimësi Serbia dhe Bosnjë Hercegovina e kanë dëmtuar dhe kanë vazhduar të dëmtojnë prodhuesit vendorë dhe ekonominë e Kosovës. Unë si ministër i MTI-së i kam propozuar Qeverisë së Kosovës marrjen e kësaj mase mbrojtëse dhe Qeveria ka marrë masën dhe është në fuqi”, ka thënë ministri Shala.

Pavarësisht presionit të BE-së për ta shfuqizuar këtë masë, ministri Shala beson se Qeveria nuk do të tërhiqet nga vendimi i saj. “Besoj dhe shpresoj se Qeveria do të vazhdojë ta mbajë këtë masë”, ka thënë Shala.

Ai ka shtuar se përfundimisht Serbia dhe Bosnjë Hercegovina duhet ta ndryshojnë qasjen ndaj Kosovës dhe prodhuesve vendorë.

Shala ka thënë se Qeveria e Kosovës është e interesuar të këtë raporte të mira me të gjitha shtetet, duke mos përjashtuar dhe Serbinë e Bosnjë Hercegovinën, por sipas tij këto dy shtete duhet ta ndryshojnë qasjen me Kosovën.

“Si Kosovë jemi të interesuar të krijojmë raporte të mira me të gjithë fqinjët, qoftë edhe me Serbinë dhe Bosnjën, por duhet të përfundoja qasje e deritanishme që ka pasur Serbia dhe Bosnjë Hercegovina ndaj Kosovës dhe bizneseve tona. Tani masa mbrojtëse është në domenin e Qeverisë së Kosovës. Besoj që do të vazhdojë edhe më tutje”, ka thënë Shala.

/Epoka e re/ Albulena  MAVRAJ

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Ministri i Jashtëm i Serbisë, Ivica Daçiq, ka thënë mërkurën…