Kuvendi i Maqedonisë nuk arriti t’ia marrë mandatin Gruevskit

09 nëntor 2018 | 16:09

Kuvendi i Maqedonisë nuk ka arritur t’ia marrë mandatin deputetit dhe ish- kryeministrit Nikolla Gruevski, i dënuar me dy vjet burgim për shpërdorim të detyrës zyrtare.

Për heqjen e mandatit kanë votuar 58 deputetë, ndërsa kundër 29 deputetë të VMRO-së. Që t’i merrej mandati, duhej të votonin 80 deputetë apo dy e treta e deputetëve.

Nisma ishte paraqitur në Komisionin për çështje të mandateve pas njoftimit që kishte marrë Kuvendi nga gjykata për dënimin e Nikolla Gruevsit me dy vjet burgim.

Shumica parlamentare kishte kërkuar marrjen e mandatit me arsyetimin se “Nikolla Gruevski nuk është i denjë të ushtrojë detyrën e deputetit”.

Por, kërkesën për marrjen e mandatit, nga VMRO-DPMNE-ja e kanë vlerësuar si të motivuar politikisht.

Gruevski të enjten duhej të paraqitej në burg, por kjo është shtyrë edhe për ndonjë ditë, për shkak të një kërkese të re nga ana e tij për shtyrjen e vuajtjes së dënimit.

Ish-kryeministri Nikolla Gruevski është duke u gjykuar edhe për shpërdorime të tjera të detyrës zyrtare, për mashtrime zgjedhore, dhunë të porositur ndaj ish-drejtuesve të opozitës në një komunë të Shkupit, e keqpërdorime tjera financiare, raporton “Rel”.

Nga ana tjetër, shumica parlamentare e ka hedhur poshtë edhe një kërkesë tjetër të opozitës që në rend të ditës së seancës, të premten, të vendoset edhe propozimi për miratimin e ligjit për amnisti për të gjithë personat e përfshirë në ngjarjet e dhunshme në Kuvendin e Maqedonisë, më 27 prill, 2017.

Rreth 30 persona, përfshirë edhe gjashtë deputetë të përjashtuar të VMRO-DPMNE-së, janë duke u gjykuar për veprën penale “rrezikim terrorist të rendit kushtetues”.

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Lista Serbe nëpërmjet një komunikate për medie ka kërkuar tërheqjen…