Vezët nga Serbia shiten në Kosovë pa vulë të ‘RKS’-së

19 nëntor 2018 | 12:50

Kryetari i Shoqatës së Shpezëtarëve të Kosovës, Sabit Rama, ka bërë me dije se vezët nga Serbia që shiten në tregun kosovar janë të pavulosura me kodin “Republika e Kosovës (RKS)”.

Këto produkte sipas tij, përveç që po krijojnë konkurrencë të pabarabartë në treg, janë të rrezikshme edhe për shëndetin e qytetarëve konsumatorë.

“Ne jemi të shqetësuar me sasinë e importit të vezëve dhe kontrabandës me këto produkte nga Serbia, të cilat nuk i plotësojnë kushtet, nuk janë të vulosura dhe po krijojnë konkurrencë jo të barabartë në treg”, ka thënë Rama për “Kosovapress”.

Ai ka thënë se ka import të vezëve në mënyrë ilegale prej Serbisë, veçanërisht nga veriu i Mitrovicës.

“Shqetësuese është, sepse produktet tona i kemi të vulosura në treg, ndërsa vezët nga Serbia shiten pa vulë në tregun kosovar. Import në mënyrë ilegale ka pasur edhe më herët, por tash kanë filluar të bëhen në sasi të mëdha”, është shprehur Rama.

Më tutje, Rama ka thënë se Kosova mbulon 100 për qind tregun me prodhime të vezëve.

Në fund, Rama ka thënë se për këto importe dhe shitje të parregullta, janë ankuar në Agjencinë e Ushqimit dhe Veterinës (AUV) ditë më parë. Ndërsa, zyrtarë të AUV nuk janë përgjigjur për “Kosovapress” lidhur me këtë temë.

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Disa nga partitë më të mëdha politike në Kosovë që…