Këshilltari i Pacollit: Në Dubai po ndodh shpërfaqja e fytyrës së vërtetë të Serbisë

19 nëntor 2018 | 19:11

Jetlir Zyberaj, këshilltar i zëvendëskryeministrit dhe ministrit të Punëve të Jashtme të Kosovës, Behgjet Pacolli, përmes një postimi në llogarinë e vet në “Facebook” ka shkruar se në Dubai po ndodh shpërfaqja e fytyrës së vërtetë të Serbisë, që për dike dukej si shtet demokratik. 

“Në margjinat e Asamblesë së Përgjithshme të Interpolit që po mbahet në Emiratet e Bashkuara Arabe,  Serbia e ka nisur një ofensivë të paparë që të bllokojë anëtarësimin e Kosovës. Ështe e pakuptueshme për të gjithë se si një shtet e kundërshton fuqizimin e sigurisë dhe luftën kundër krimit të organizuar ndërkombëtar dhe terrorizmit. Janë të paprecedent metodat shantazhuese të shtetit serb ndaj përfaqësuesve të shteteve të botës në asamblenë e përgjithshme të Interpolit”, ka shkruar Zyberaj.

Ai ka theksuar se në ndërkohë, Serbia dështoi në bllokadë e parë për Kosovën. 

“Kërkesa e delegacionit serb e mbështetur edhe nga disa vende, që votimi për anëtarësimin e Kosovës të hiqet nga rendi i ditës, nuk mori mbështetjen e Asamblesë. Anëtarësimi i Kosovës në Interpol do të hidhet nesër në votim pas shqyrtimit nga pjesëmarrësit”, ka thënë ai.

Zyberaj ka thënë se Kosovës i duhen votat e 2/3 të delegatëve në mënyrë që të bëhet anëtare e Interpolit. “Nëse eventualisht nuk i sigurojmë këto vota në raundin e parë, atëherë do të jetë edhe një raund i ri i votimit”, ka deklaruar ai.

Zyberaj ka shtuar se delegacioni i Kosovës është në kontakt të vazhdueshëm me shtetet aleate që gjithçka të shkojë sipas planifikimeve dhe nesër gjatë votimit mos të ketë ndonjë befasi. 

“Kosova në Interpol është garanci për rajonin dhe me gjerë. Ky anëtarësim do t’i ndihmoj rajonit dhe Evropës që të luftohet krimi i organizuar, sepse vendi ynë ka dëshmuar se ka kapacitete të fuqishme të sigurisë dhe është mese i gatshëm të bëhet pjesë e këtij mekanizmi të rëndësishëm global”, ka thënë Zyberaj.

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Një deklaratë e çuditshme e gjyqtari rumun, Istvan Kovaçsh, ka…