Deklarata e Qeverisë së Kosovës pas dështimit në Interpol

20 nëntor 2018 | 10:38

Sot, Asambleja e Përgjithshme e Interpolit, në sesionin e saj të 87-të votoi kundër anëtarësimit të Policisë së Kosovës në këtë organizatë.

Qeveria e Republikës së Kosovës përmes një deklarate për media ka shprehur zhgënjimin e saj të thellë që Kosovës i është pamundësuar të jetë pjesë e familjes botërore të Policisë, që lufton krimin transnacional.

“Fushata e egër e Republikës së Serbisë dëshmoi edhe njëherë karakterin e saj kundër Kosovës dhe kundër idesë për normalizim të raporteve me Republikën e Kosovës, aq më parë, kur ky anëtarësim ishte teknik dhe jo politik.

Votimi kundër pranimit të Kosovës në këtë organizatë ndërkombëtare i bën shërbim vetëm krimit dhe kriminelëve dhe askush nuk do të duhej t’i gëzohej këtij fakti”, është thënë në deklaratën e Qeverisë së Kosovës.

Qeveria e Republikës së Kosovës ka falënderuar të gjitha shtetet që votuan për, si dhe të gjithë ata që u përpoqën ta ndihmojnë Kosovën në këtë proces të rëndësishëm.

“Kosova do të vazhdojë konsolidimin e institucioneve të saj dhe në një të ardhme shumë të afërt do të jetë edhe anëtare e plotë e Interpolit”, është thënë në këtë deklaratë të Qeverisë së Kosovës.

/Epoka e re/

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Deputeti i Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK), Armend Zemaj, ka…