Safet Syla tregon se si u intervistua për 18 orë nga Specialja

13 dhjetor 2018 | 11:53

Prokuroria Speciale për krime të luftës në Kosovë, me seli në Hagë, ka nisur të intervistojë personat e ftuar, që kryesisht vijnë nga radhët e ish-Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës (UÇK). Bazuar në ligjin, ata janë të obliguar që t’i përgjigjen ftesës për intervistim.

Njëri nga të intervistuarit e parë është ish-pjesëtari i UÇK-së për Zonën e Pashtrikut, Safet Syla. Ai në një konferencë për medie ka thënë se për dy ditë nga nëntë orë është intervistuar nga Prokuroria Speciale. Por, sipas tij, ai është intervistuar në zyrat e misionit për sundim të ligjit, EULEX në Prishtinë.

“Jam intervistuar për 18 orë nga Gjykata Speciale dhe më kanë marrë pa ftesë. Nga pyetjet e bëra kam kuptuar që me kanë intervistuar për rolin tim në luftë”, ka deklaruar Syla.

Deri më tani, EULEX nuk ka konfirmuar se ka lëshuar për shfrytëzim zyrat e këtij misioni, për Prokurorinë Speciale.

Qeveria e Kosovës ka shprehur gatishmërinë që në çdo moment të ofrojë ndihmën e nevojshme për mbrojtje ligjore për “luftëtarët e lirisë”.

Nga Këshilli për Mbrojtjen e të Drejtave dhe Lirive të Njeriut, thonë se deri më tash ftesat e për intervistim i kanë marrë shtatë persona dhe se vetëm në një rast është thënë që personi është ftuar në cilësinë e dëshmitarit. Ky Këshill ka shprehur dronë që personat që janë ftuar për intervistim mund të arrestohen.

Siç kanë konfirmuar avokatët deri më tash, për intervistim në Hagë, më 14 janar të vitit të ardhshëm, janë ftuar: ish-komandanti i UÇK-së për zonën e Llapit, Rrustem Mustafa-Remi dhe ish-komandanti i UÇK-së në Drenicë, Sami Lushtaku.

Nga data 22 deri më 24 janar do të intervistohet Nazif Mehmeti. Ftesa për intervistim i është bërë edhe Sokol Dobrunës, ish-kryetar i gjykatës së UÇK-së. Ata kanë konfirmuar se do t’i përgjigjen ftesës dhe se bëhet fjalë vetëm për “ftesë për intervistim”.

Një tjetër person i ftuar nga Prokuroria Speciale është edhe Remzi Shala, ish-pjesëtar i njësitit special të Shtabit të Përgjithshëm të UÇK-së. Ai është ftuar të paraqitet para Prokurorisë së Specializuar më 17 janar të vitit të ardhshëm. Por, siç ka bërë të ditur vetë Shala, ai nuk do të paraqitet vullnetarisht në këtë Prokurori, duke thënë se nuk e njeh këtë institucion.

Avokati i Shalës, Natal Bulakaj, ka thënë për “Radion Evropa e Lirë” se nuk ka arritur të kontaktojë me klientin e tij, për shkak se tashmë nuk dihet vendqëndrimi i tij.

Avokati Bulakaj ka theksuar se i ka bërë thirrje klientit të tij Shala që t’i përgjigjet ftesës për t’u intervistuar.

“Është i obliguar dhe patjetër që duhet. Unë i kam bërë thirrje që të paraqitet, sepse është në interesin e tij. Deri mbrëmë, kam kontaktuar me djalin e vëllait të tij, por nuk e dinë as familja se ku është. Nuk kanë informata se ku është. Unë kam dëshirë që të kontaktoj më të dhe t’ia komunikoj pasojat juridike, ashtu siç ia kam komunikuar në momentin e dorëzimit të ftesës”, ka thënë Bulakaj.

Ndonëse aktualisht nuk dihet se në çfarë cilësie janë të ftuar, në bazë të Ligjit për Dhomat e Specializuara dhe Zyrën e Prokurorit të Specializuar, secili person që gjendet në Kosovë dhe të cilit i bëhet ftesa në cilësinë e dëshmitarit, është i obliguar që t’i përgjigjet ftesës dhe të dëshmojë.

Gjithashtu, në përputhje me të drejtat e të akuzuarve, të gjithë personat juridik dhe fizik në Kosovë, janë të obliguar që të bashkëpunojnë me Dhomat e Specializuara dhe me Prokurorin e Specializuar.

Në Prokurorinë e Specializuar nuk kanë dhënë informata lidhur me hetimet, por kanë theksuar që janë të vetëdijshëm që individët ose avokatët e tyre japin deklarata për mediet, në të cilat thonë se janë të ftuar për biseda në Hagë.

Dhomat e Specializuara dhe Zyra e Prokurorit të Specializuara, të cilat ndryshe njihen si Gjykata Speciale, janë përgjegjës për hetimin e krimeve kundër njerëzimit, krimeve të luftës dhe krimeve tjera penale në lidhje me akuzat nga Raporti i Këshillit të Evropës i vitit 2011. Në atë raport thuhet që krimet gjoja se i kanë bërë pjesëtarët e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, në periudhën prej vitit 1998 e deri në vitin 2000.

Ky institucion është formuar pas miratimit të legjislacionit të nevojshëm nga Kuvendi i Kosovës dhe është funksionalizuar në tërësi në korrik të vitit 2017, kur është miratuar Rregullorja për procedurat dhe provat për kryerjen e procedurës penale. Në Dhomat e Specializuara dhe Zyrën e Prokurorit të Specializuar punojnë rreth 150 persona, të cilët vijnë nga shtete të ndryshme nga e gjithë bota. Gjykatësit, të cilët janë 20, vijnë nga 14 vende.

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Igor Stiks Dy vite më parë dhashë një intervistë për…