Qeveria: Sot po kurorëzohet rrugëtimi për konsolidimin e plotë dhe të brendshëm shtetëror të Kosovës

14 dhjetor 2018 | 12:59

Qeveria e Republikës së Kosovë përmes një deklarate për medie, ka uruar qytetarët e Kosovës pas miratimit nga Kuvendit të tri projektligjeve, Projektligjin për Forcën e Sigurisë, Projektligjin për Shërbimin në FSK dhe Projektligjin për Ministrinë e Mbrojtjes.

Qeveria ka vlerësuar se sot po kurorëzohet rrugëtimi për konsolidimin e plotë e të brendshëm shtetëror të Republikës së Kosovës.

“Duke kujtuar dhe nderuar të gjithë burrat dhe gratë që bënë sakrifica të mëdha për lirinë dhe shtetin tonë dhe duke shprehur mirënjohje për misionin e NATO-s, KFOR-it, të gjithë trupave ushtarake të vendeve aleate: ShBA-së, Gjermanisë, Britanisë së Madhe, Francës, Italisë, e të gjitha atyre vendeve që i shërbyen paqes në Kosovë, Qeveria e Republikës së Kosovës thekson se sot po kurorëzohet rrugëtimi për konsolidimin e plotë e të brendshëm shtetëror të Republikës së Kosovës”, është thënë në deklaratën e Qeverisë.

Qeveria e Republikës së Kosovës konsideron se me miratimin e Projektligjit për Forcën e Sigurisë së Kosovës përcaktohen kompetencat, organizimi dhe funksionimi i FSK-së, si forcë multietnike, profesionale, e armatosur dhe e autorizuar për të shërbyer në vend dhe jashtë vendit, në pajtim me mandatin e dhënë kushtetues dhe ligjor në mbrojtje të integritetit territorial, qytetarëve, pronës dhe interesave të Republikës së Kosovës, dhe e cila i nënshtrohet kontrollit civil demokratik.

“Po ashtu, me miratimin e Projektligjit për Shërbimin në FSK ne rregullojmë kushtet e përgjithshme të shërbimit në FSK, si një shërbim i ndërtuar mbi bazën e parimit të ligjshmërisë, profesionalizmit, komandës, disiplinës, respektit, nderit, ruajtjes së informacionit, komunikimit, jo diskriminimit dhe mundësive të barabarta, paanshmërisë politike, transparencës dhe llogaridhënies; me miratimin e Projektligjit për Ministrinë e Mbrojtjes, ne riorganizojmë dhe kalojmë nga Ministria e FSK-së në Ministri të Mbrojtjes, me qëllim të mbikëqyrjes dhe kontrollit civil demokratik mbi FSK-në me strukturën e saj organizative që siguron funksionalizimin e plotë dhe përmbushjen e përgjegjësive të saj”, është theksuar në vazhdimin e kësaj deklarate.

/Epoka e re/

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Sekretari i Përgjithshëm i NATO-s, Jens Stoltenberg sërish ka shprehur…