Gazeta spanjolle ‘El Pais’: Kosova themeloi ushtrinë me mbështetjen e Amerikës
Urimet në 12 gjuhë të ndryshme të botës, për themelimin e ushtrisë së Kosovës, të cilat i ka postuar në llogarinë e vet në “Twitter” zëvendëskryeministri Enver Hoxhaj, ka arritur edhe në Spanjë.
Gazeta spanjolle “El Pais” i ka kushtuar themelimit të ushtrisë së Kosovës një artikull të plotë në versionin ndërkombëtar të gazetës. Në këtë artikull, “El Pais” ka cituar zëvendëskryeministrin Hoxhaj dhe postimin e tij në “Twitter” në gjuhën spanjolle.
“Puna e palodhshme e grave dhe burrave të Kosovës u shpagua: nga sot, ne kemi Ushtrinë që do t’i shërbejë të gjithë qytetarëve. Duke festuar këtë arritje të madhe, ne zotohemi të punojmë edhe më shumë për t’iu bashkuar aleatëve tanë në NATO. FSK e bën Ballkanin më të sigurt”, ka shkruar Hoxhaj, raporton “Express”.
“El Pais” ka shkruar se Kosova ka themeluar ushtrinë me mbështetjen e Shteteve të Bashkuara të Amerikës (ShBA).