Mijëra komente nga shqiptarët e zemëruar me Mogherinin, e quajnë raciste dhe pro-ruse
Mijëra banorë të zemëruar të Kosovës kritikuan shefen e diplomacisë evropiane Federica Mogherini, në faqen e saj në Facebook, të zemëruar se ata janë të fundit në Ballkan që kanë nevojë për viza për të udhëtuar në Bashkimin Evropian.
Më 10 dhjetor, Mogherini publikoi një mesazh në Facebook me rastin e 70-vjetorit të Deklaratës së Përgjithshme të OKB-së për të Drejtat e Njeriut. Që atëherë, banorët e Kosovës janë të zemëruar: “Ku është heqja e vizave për Kosovën që na keni premtuar?”, thotë Besnik Sahiti.
Sot, numri i komenteve arriti në 13,000, shumica dërrmuese ashtu si kjo: “Ne kemi qenë të izoluar për vite me radhë, megjithëse kemi bërë gjithçka që na keni kërkuar”, shkruan Rezart Kashtanjeva.
“Po, ku janë të drejtat e njeriut për Kosovën? Turp për ju!”, shkruajnë shumë komentues tjerë.
“Ne jemi i vetmi vend në Evropë që kërkon vizë për të udhëtuar në Bashkimin Evropian, ku janë të drejtat tona, znj. Mogherini?”, shprehet një tjetër komentues. “Unë mendoj se jeni një racist dhe pro-rus,” akuzon komentuesi Albert Kopriva.
Parlamenti Evropian në shtator mbështeti heqjen e vizave për banorët e Kosovës, pasi kjo e fundit ka përmbushur 95 kriteret e kërkuara. Por, për zhgënjimin e madh të banorëve të Kosovës, duket se ky privilegj nuk do të vijë së shpejti.
Vendimi i Parlamentit Evropian vetëm hap rrugën për negociata me shtetet anëtare, pesë prej të cilave nuk e njohin Kosovën – Spanja, Qiproja, Greqia, Sllovakia dhe Rumania. Një shumicë e dyfishtë e kualifikuar ose 55 për qind e shteteve anëtare, që përfaqësojnë 65 për qind të popullsisë së BE-së, është e nevojshme për të miratuar lirimin nga detyrimi për të marrë një vizë në BE.
Ndryshe, komisionari për Zgjerim i Bashkimit Evropian, Johannes Hahn, ka përmendur vitin 2020, si kohën më optimale kur Kosova do të mund sërish të presë një vendim eventual pozitiv për liberalizimin e vizave.