Molliqaj e quan Kurtin paranojak
Deputeti i PSD-së Dardan Molliqaj, i ka kthyer përgjigje të parit të VV-së, Albin Kurti, i cili përmes një shkrimi të mëhershëm në “Facebook”, akuzoi krerët politikë të Qeverisë, përfshirë këtu edhe PSD-në për dorëzim përpara presidentit Hashim Thaçi.
Molliqaj pos tjerash, ka shkruar se dëshira e VV-së, për të qenë së bashku me LDK-në, bëri të pashmangshme rezolutën e PSD-së. “Që gjithë kjo ushtimë është e orkestruar nga vetë kryetari i VV-së dhe megallomania e tij e tregon postimi i tij i fundit në të cilin e dëshmon paranojën e tij që kinse të gjithë qenkan nën një jorgan që punon kundër dëshirës së tij për të ardhur në pushtet dhe e sjell në pah kompleksin e tij hyjnor se kinse ky po e ditka kush do të bëhet deputet apo kryetar komune”, shkroi Molliqaj.
Postimi i plotë i Molliqajt në “Facebook”:
“Ushtimë
Punësimi e drejtësia, arsimi e shëndetësia, ndalja e Thaçit me hapa konkret, të gjitha këto prisnin, ama organizimi i kotë i protestës së 29 shtatorit, thjeshtë për t´i demonstruar kundërshtarëve politik që ende janë të fortë, që rezultoi pa efekt, ishte çështje urgjente. Për “Idealistët” qenka më e rëndësishme të bëjnë ushtimë, se sa ta mënjanojnë të keqën që e kërcënon Republikën. Idealistët që kërkojnë në çdo rast të bëjnë ushtimë pa arsye, rezultojnë ta kenë idealizmin maskë prapa së cilës fshihet dëshira dhe etja e tyre për pushtet.
Dëshira e VV për të qenë së bashku me LDK-në zgjidhja e problemit, që e bëri të pashmangshme rezolutën e PSD-së, tregon veç që qëllim nuk e kanë zgjidhjen e problemit, por ardhjen në pushtet. Ardhjen në pushtet duke i përdorur shkaktarët e problemit si vegël dhe Isa Mustafa duke e heshtur vazhdimisht faktin që ai e bëri Thaçin President po përpiqet t´ia lehtësojë Albin Kurtit bashkëpunimin me të, për mos të thënë përdorimin apo shfrytëzimin e tij dhe për ta hutuar opinionin publik ata vazhdojnë dhe ushtojnë.
Që gjithë kjo ushtimë është e orkestruar nga vetë kryetari i VV-së dhe megallomania e tij e tregon postimi i tij i fundit në të cilin e dëshmon paranojën e tij që kinse të gjithë qenkan nën një jorgan që punon kundër dëshirës së tij për të ardhur në pushtet dhe e sjell në pah kompleksin e tij hyjnor se kinse ky po e ditka kush do të bëhet deputet apo kryetar komune”.