GLPS-ja i reagon Mogherinit dhe Hahnit për çështjen e dialogut

18 dhjetor 2018 | 12:07

Grupi për Studime Juridike dhe Politike (GLPS) ka vlerësuar se letra e përfaqësuesve të BE-së, Federica Mogherini dhe Johannes Hahn, drejtuar Qeverisë së Kosovës është përpjekje për ta kontestuar kornizën demokratike të vendimmarrjes së Republikës së Kosovës.

Sipas kësaj organizate përmes kësaj letre, dialogu lidhet me vetëm një përfaqësues, presidentin Hashim Thaçi, gjë që lë të nënkuptohet se Kuvendi dhe Qeveria, apo kushdo tjetër, nuk mund të ushtrojë mandatin përfaqësues dhe kushtetues në këtë proces.

“Rikujtojmë që roli i BE-së është lehtësimi i procesit të dialogut, dhe në një rol të tillë BE-ja supozohet që të ndihmojë në arritjen e një marrëveshjeje që është e pranueshme dhe që është reflektim i drejtë i institucioneve demokratike të të dyja palëve. Një proces i tillë nuk mund të shërbejë si instrument për të rregulluar raportet e fuqive të liderëve politikë ose të ri-aranzhojë kompetencat të përcaktuara, në rastin tonë, në kushtetutë”.

“Kjo letër duket të ketë qëllim neutralizimin e plotë të rolit përfaqësues dhe përcaktues të Kuvendit të Kosovës në një proces që pritet të përcaktojë të ardhmen paqësore të Kosovës në raport me Serbinë. Në një demokraci parlamentare, siç është Kosova, institucioni i parlamentit gëzon rol qendror në përcaktimin e pozicionit negociues në rastet kur diskutohen çështje të rëndësisë së jashtëzakonshme, sikur është marrëveshja finale me Serbinë. Rrjedhimisht, kushdo që synon ta tejkalojë një rol të tillë i shërben të kundërtës së qëllimit të normalizimit të marrëdhënieve. BE-ja nuk mund të ndërhyjë në dialog në formë të tillë që cenon rendin minimal të demokracisë së brendshme që është e përcaktuar qartazi në kushtetutën e vendit”, është thënë në reagimin e GSPS-së.

Kjo organizatë u ka bërë thirrje për krerët institucional që të refuzojnë thirrjet për përfaqësimin e Kosovës që bien ndesh me rendin dhe kompetencat kushtetuese, rregullat minimale të demokracisë parlamentare, dhe fuqisë politike të aktorëve brenda Kuvendit.

“Përfaqësimi i Kosovës dhe fati i saj në proceset ndërkombëtare do të mbetet i lidhur me emrat individual, e jo vlerat, qëllimet e parimet e pritura që janë me karakter universal. Znj. Mogherini dhe z. Hahn duhet të kenë të qartë që veprimet e tilla kanë ndikimin të drejtpërdrejt në sentimentin proevropian të qytetarit të Republikës së Kosovës”, është thënë në këtë reagim.

/Epoka e re/

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Në Ditën Ndërkombëtare të Emigracionit, kryeministri i vendit Ramush Haradinaj…