Dautaj: Ferizaj nuk ka frikë nga Feronikeli, synon gjysmëfinalen

20 dhjetor 2018 | 20:20

Qëndrim Dautaj është optimist se skuadra e Ferizajt mund të shkëlqejë në garën e Kupës ani pse kundërshtar e ka Feronikelin.

KF Ferizaj është kualifikuar në çerekfinale të Digitalb Kupës së Kosovës në futboll. Futbollisti Qëndrim Dautaj është shprehur i kënaqur me këtë sukses, por është i vetëdijshëm se skuadrën e tij e pret një punë shumë e vështirë ndaj Feronikelit. Pavarësisht që kundërshtari ka cilësi, Dautaj ka thënë se Ferizaj synon të kualifikohet fillimisht në gjysmëfinale, më pas edhe në finale të Kupës. “Ne i kemi fituar dy ndeshje, po kundërshtarët kanë qenë të rangut më të ulët. Tash e kemi ndeshjen me Feronikelin që është një skuadër me lojtarë shumë cilësorë dhe lufton për titull dhe Kupë, por ne nuk i frikësohemi. Jemi të vetëdijshëm se do të jetë një ndeshje shumë e vështirë, por ne luajmë në fushën tonë dhe do të hyjmë në këtë ndeshje për fitore. Shpresojmë të kualifikohemi në gjysmëfinale të Kupës, pse jo edhe në finale”, ka thënë Dautaj për “Epokën e re”.

Në kampionat skuadra e Ferizajt, pavarësisht prej paraqitjeve të mira, nuk ka regjistruar rezultate pozitive dhe sezonin vjeshtor e mbylli në pozitën e parafundit me 15 pikë, shtatë pikë më pak se skuadra e Trepçës ’89 që është në pozitën e tetë. “Rezultatet në sezonin vjeshtor nuk kanë qenë aspak të kënaqshme, pasi dihet që jemi në vendin e parafundit në tabelë që na dërgon në Ligën e Parë. Potencial kemi pasur si skuadër, por edhe paraqitje të mira, prandaj është dashur të kemi më shumë pikë të grumbulluara”, ka deklaruar futbollisti Dautaj, duke shtuar: “Ferizaj ka nevojë për tri përforcime në afatin kalimtar të janarit për të qenë më të sigurt në garën për mbijetesë. Në tri repartet, mbrojtje, mesfushë dhe sulm”.

Qëndrim Dautaj ka luajtur për shumë skuadra në Kosovë, duke filluar nga Flamurtari, Llapi, Besa dhe Feronikeli. Ai ka kontratë me Ferizajn deri në qershor të vitit 2019, kurse në vitin 2014 ishte shpallur në mesin e dhjetë futbollistëve më të mirë në Kosovë.

/Veton ZYMBERI/  

 

Fjalët Kyçe:

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Kryeministri i Kosovës, Ramush Haradinaj ka thënë se futbolli po…