Mustafa: LDK-ja duhet të qeverisë me Kosovën, tjerët po qeverisin keq

23 dhjetor 2018 | 13:13

Në 29-vjetorin e themelimit të Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK), kryetari i kësaj partie, Isa Mustafa, ka thënë se tarifa e vendosur ndaj produkteve të Serbisë nuk mund t’i mbulojë keqpërdorimet që i ka bërë Qeveria e drejtuar nga Ramush Haradinaj.

Sipas tij, Qeveria e ka lënë Kosovën pa liberalizimin e vizave, ndërsa katër komunat me shumicë serbe në veri të vendit e kanë ndërprerë komunikimin me institucionet shtetërore, njofton “Klan Kosova”.

“Sot pas 29 vjetësh nga dita e themelimit të Lidhjes Demokratike të Kosovës, kjo parti qëndron e para në Kosovë me grupin më të madh të deputetëve në Parlament dhe me më së shumti Komuna në vend”.

“Qëndrojmë të parët sepse kemi dhënë provimin e përgjegjësisë politike nëpër fazat më të vështira që ka kaluar Kosova”.

“Ne jemi të vendosur të kundërshtojnë të gjithë ata që zhvlerësojnë vlerat demokratike të këtij vendi. Ne kemi guxim që ta luftojmë korrupsionin dhe ta shpëtojmë Kosovën nga kapësit e shtetit”, ka thënë Mustafa.

Mustafa ka shtuar se partia më e vjetër në vend, i nderon me përulje të gjithë veprimtarët e saj të cilët kanë dhënë jetën për Kosovë.

“Shumë nga këta veprimtarë u vranë nga dora e fshehtë në periudhën e luftës dhe pas luftës. Prandaj kjo parti kërkon që të zbardhen këto raste në mënyrë që vrasësit të dalin para drejtësisë”.

“Sot kur po ballafaqohemi me vendime të rëndësishme për vendin, Kosova ka nevojë për institucione të forta”.

“Fatkeqësisht gjendja është e brishtë sepse kjo Qeveri e ka lënë Kosovën pa liberalizim të vizave si dhe katër Komunat në veri të Kosovës e kanë ndërprerë komunikimin me Qeverinë e Kosovës”.

“Kjo Qeveri po shfrytëzon paratë publike për t’ua falur borxhet ndërmarrësve të ndryshme. Këto keqpërdorime nuk mund të mbulohen me takën prej 100 për qind ndaj produkteve Serbe”, është shprehur Mustafa.

Më tutje, Mustafa e ka cilësuar idenë e korrigjimit të kufijve si ide të Serbisë duke shtuar se një ide e tille është e rrezikshme për vendin dhe rajonin.

“LDK u ka thënë jo këtyre pretendimeve. Prandaj nuk është çudi që po kritikohemi”.

“Një parti pa lidership të mirë dhe pa anëtarësi besnike nuk mund të del parti e parë. LDK-ja është partia e parë e Kosovës. Partia që është e parë nuk i shërben asnjë politike që e konsideron si jo të mirë”.

“Për LDK-në shtetësia e Kosovës me kufijtë e saj është kapitull i përmbyllur me shpalljen e Pavarësisë së Kosovës”.

“LDK-ja e përkrah dialogun midis Kosovës dhe Serbisë në mënyrë që të arrihet njohje reciproke midis dy vendeve”.

“Ky dialog duhet të zhvillohet në emër të dy shteteve e jo në emër të Prishtinës dhe Beogradit siç pretendohet nga disa individë”, ka thënë Mustafa, duke shtuar se marrëveshja përfundimtare me Serbinë duhet të arrihet pa e cenuar në asnjë formë sovranitetin e shtetit.

“Ndërsa kjo Qeveri nuk e ka hallin tek integriteti dhe sovraniteti i Kosovës, por tek integriteti i interesave të tyre personale”.

“LDK-ja shpreh qartë se për një dialog kaq të rëndësishëm me Serbinë nevojitet një Qeveri që përfaqëson shumicën e qytetarëve të Kosovës”.

“Unë ju ftojë që t’i përballojmë së bashku këto sfida në mënyrë që t’i nxjerrim qytetarët nga kjo krizë. LDK duhet të qeverisë me Kosovën sepse tjerët po qeverisin keq”, ka thënë Mustafa.

Krejt në fund, Mustafa ka thënë se vitin e ardhshëm do të mbahen zgjedhjet e brendshme në LDK.

“Në vitin që po vjen ne do të zhvillojmë zgjedhjet e brendshme partiake ku LDK do të dalë edhe më e fuqishme si parti duke e respektuar çdo herë vullnetin e anëtarësisë dhe të qytetarëve të Kosovës”, është shprehur Mustafa.

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Autostrada që lidh kryeqytetet e Kosovës dhe Maqedonisë, përkatësisht Prishtinën…