Konfirmohet miqësorja ndaj Danimarkës

24 dhjetor 2018 | 14:31

Kosova në futboll më 21 ose 22 mars do të zhvillojë ndeshje miqësore me Danimarkën para ndeshjes së parë kualifikuese që e zhvillon më 25 mars ndaj Bullgarisë.

Përfaqësuesja e Kosovës në futboll, pas suksesit historik në Ligën e Kombeve ku është kualifikuar në “play-off” të kësaj gare, pritet të zhvillojë ndeshje miqësore ndaj Kombëtares së Danimarkës.

Lajmin e ka konfirmuar për “Epokën e re” kryetari i Federatës së Futbollit të Kosovës, Agim Ademi. “E kemi obligues zhvillimin e dy ndeshjeve miqësore, pasi jemi në grup ku bëjnë pjesë pesë skuadra për kualifikimet e Kampionatit Evropian. Mund të them se miqësorja me Danimarkën thuajse është e përfunduar”, ka thënë Ademi, i cili konfirmoi se kjo ndeshje zhvillohet në muajin mars në stadiumin “Fadil Vokrri” në Prishtinë. “Kjo ndeshje do të zhvillohet para fillimit të ndeshjeve kualifikuese, pra para ndeshjes me Bullgarinë në muajin mars. Ndeshjen e parë në kualifikime e zhvillojmë në Prishtinë dhe normalisht se edhe ndeshjen miqësore e zhvillojmë si vendës”, ka shtuar ai.

Pas rezultateve të mira në Ligën e Kombeve dhe ngritjes për 46 pozita në renditjen e FIFA-s për vitin 2018 dhe renditjes në vendin e 131-të, “Dardanët” kanë pasur shumë ftesa për zhvillimin e ndeshjeve miqësore, përfshirë edhe kombëtare të mëdha si Uellsi, ku luan ylli i Real Madridit, Garath Bale. “Ne kemi pasur shumë oferta për të zhvilluar miqësore nga Uellsi, Gjibraltari dhe Lihtenshtajni, por edhe nga kombëtare të tjera të respektuara. Ka qenë një gjë shumë pozitive, por edhe e papritur që shumë skuadra të njohura ta kërkojnë zhvillimin e ndeshjeve miqësore me Kosovën. Normalisht se ne jemi krenarë për faktin se këto oferta kanë ardhur pas paraqitjeve tona të mira ku në pesëmbëdhjetë muajit e fundit nuk kemi pësuar asnjë humbje dhe kemi pranuar dy gola”, ka deklaruar Ademi për “Epokën e re”.

Përfaqësuesja e Kosovës në futboll, e cila drejtohet nga Bernard Challandes, është në Grupin A në kualifikimet për “Euro 2020” së bashku me Anglinë, Bullgarinë, Çekinë dhe Malin e Zi.

/Veton ZYMBERI/  

 

 

Fjalët Kyçe:

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Kryetari i Lëvizjes Vetëvendosje, Albin Kurti dhe nënkryetari Besnik Bislimi,…