20 vjet ‘KosovaPress’

04 janar 2019 | 11:32

Më 4 janar të vitit 1999, si një nevojë e kohës dhe për të informuar për zhvillimet në Kosovë është themeluar Agjencia e Lajmeve “KosovaPress”, duke dhënë kontribut të madh në informimin e opinionit vendor dhe ndërkombëtar për realitetin në Kosovë, luftën çlirimtare, krimet serbe dhe bombardimet e NATO-s.

“KosovaPress” gjatë luftës lajmet i ka publikuar në gjuhën shqipe, angleze, frënge dhe gjermane. Me shuarjen e Qeverisë së Përkohshme, në janar të vitit 2000 dhe krijimin e Këshillit të Përkohshëm Administrativ, ishin shuar të gjitha institucionet e krijuara nga drejtoria politike e UÇK-së dhe Qeveria e Përkohshme.

Nga shtatori i vitit 2000, “KosovaPress” ka nisur rrugëtimin e saj si agjenci e pavarur, duke u sfiduar gjatë këtyre viteve, fillimisht më mbijetesën, e pastaj edhe me zhvillimin.

Nga viti 2002, “KosovaPress” ka kaluar në sistemin me parapagim, fillimisht në gjuhën shqipe, e nga viti 2005 ka rifilluar në gjuhën angleze, ndërsa në 2007 edhe në gjuhën serbe dhe turke.

Në dhjetëvjetorin e themelimit (2009) “KosovaPress” ka sjellë në tregun medial të vendit produktet më të reja: video-lajmin dhe audio-lajmin, ndërsa në 15-vjetorin e themelimit, ka hapur zyrën në Tiranë.

Në 16-vjetorin, si produkt të ri ka sjellë sektorin e fotove. Në vitin e 17-të, “KosovaPress” ka startuar me produktin e transmetimeve të ngjarjeve LIVE (direkt).

Transmetimet e drejtpërdrejta janë realizuar me teknologjinë më të re të transmetimeve, përmes kamerave “4K”.

Ndërkohë që viti i ri do të sjell edhe një sërë projektesh të reja, që lidhen me punën profesionale dhe atë të teknologjisë.

Ofrimi i këtyre produkteve, ka bërë që “KosovaPress” të rrit edhe më shumë bashkëpunimin me mediet e vendit, të rajonit dhe të botës.

Të gjitha këto informacione, “KosovaPress” ua sjell klientëve dhe lexuesve përmes lajmit të shkruar, video-lajmit, audio-lajmit dhe fotove, 7 ditë në javë, 365 ditë në vit, në gjuhën shqipe dhe angleze.

“KosovaPress”, gjatë këtyre viteve, ka dëshmuar vazhdimin e punës së gazetarisë së pavarur, kurse objektivi i saj do të vazhdojë të jetë i tillë, duke qenë një burim i lajmit të besuar dhe të shpejtë si dhe një kontribuues i rritjes së lirisë së të shprehurit.

“KosovaPress” është anëtare dhe një nga themelueset e Agjencive të Pavarura të Evropës Juglindore (APNA). Në vitin 2017-të, “KosovaPress” është pranuar anëtare me të drejta të plota nga Asambleja e Përgjithshme e Agjencive të Lajmeve të Vendeve të Ballkanit dhe të Evropës Juglindore (ABNA-SE). /KosovaPress/

Fjalët Kyçe:

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Kosova nuk ka pretendime për më tepër territor, por as…