SBASHK-u apel prindërve: Përkrahja e juaj është shumë e rëndësishme

13 janar 2019 | 17:01

Sindikata e Arsimit, Shkencës dhe Kulturës (SBASHK) përmes një njoftimi për media, ka bërë me dije të dielën se greva e paralajmëruar për 14 janar do të mbahet në të gjitha institucionet shkollore.

SBASHK-u u ka bërë thirrje prindërve dhe nxënësve që të mbështesin mësuesit dhe profesorët e tyre për grevën që do të mbajnë.

“SBASHK-u ju drejtohet përmes kësaj letre me një apel publik për mirëkuptim, për orët që do t’i humbni ndoshta edhe me muaj si dhe për vogëlushet në çerdhe që edhe ata s’do të kenë mundësi t’i takojnë moshatarët e vet, por edhe edukatoret e tyre të dashura, jo pse këtë e dëshirojnë edukatoret, mësuesit, profesorët universitar dhe i tërë stafi i të punësuarve në arsim, por kjo grevë u imponua për shkak se negociatat për plotësimin e kërkesave nuk dhanë rezultate. Ju bëjmë apel ju të gjithë të lartpërmendurve, që të dilni në mbështetje të edukatorëve e mësuesve të fëmijëve tuaj në mënyrë qe këta në ligjin e pagave mos të mbesin me koeficient më të vogël se vozitësit dhe truprojat e krerëve të shtetit, dhe mos lejoni që disa sektorë të caktuar të kenë pagën deri në 88 për qind më të madhe se sa mësuesit e fëmijëve tuaj”, është thënë në apelin e SBASHK-ut.

SBASHK-u ka theksuar se përkrahja në këtë grevë është shumë e rëndësishme për edukatorët dhe mësimdhënësit. “Me këtë do ta ngrisni moralin e tyre dhe me këtë ata nuk do të ndihen të vetmuar, por njëkohësisht do të kontribuoni që Qeveria dhe Kuvendi do ta plotësojnë kërkesën e arsyeshme të punëtorëve të arsimit”, është thënë në këtë njoftim të kësaj sindikate.

SBASHK-u u ka bërë apel edhe deputetëve të Kuvendit Kosovës.

“Gjithashtu apel ju bëjmë edhe deputetëve të Kuvendit të Kosovës, një pjesë e të cilëve ishin punëtorë të arsimit, që të gjejnë kurajo ta ndërpresin pushimin dhe të takohen, dhe ta analizojnë në detaje ligjin e pagave, por edhe tabelën një shtojcë të këtij ligji, sepse aty lehtë mund të vërejnë sa janë dëmtuar të punësuarit në arsim, dhe të korrigjojnë këtë gabim të qëllimtë apo të pa qëllimtë të ministrit Yagcilar se bashku me komisionin hartues të këtij ligji. Ta thirrni në interpelancë ministrin Yagcilar për këtë degradim që iu është bërë punëtorëve në sektorin publik në arsim, krahas të punësuarve në sektorët tjerë. Gjithashtu nëse deputetët e kanë të pamundur t’i rregullojnë defektet e shumta në këtë ligj, ta kthejnë të hartuesi për përmirësim”, është theksuar në njoftimin e SBASHK-ut.

/Epoka e re/

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
KF Drenica ka bërë transferimin e radhës në afatin kalimtar…