Numri i bizneseve në Kosovë shënon rritje

30 janar 2019 | 16:04

Agjencia e Statistikave të Kosovës (ASK) ka publikuar repertorin statistikor mbi ndërmarrjet ekonomike në Kosovë për tremujorin e katërt të vitit 2018 (TM4 2018).

Sipas ASK-së, në tremujorin e katërt (TM4) janë regjistruar gjithsej 2 401 ndërmarrje, ku vërehet një rritje për 8.5 për qind, krahasuar me tremujorin paraprak (TM3 2018).

“Ndërkaq, krahasuar TM4 2018 me tremujorin e njëjtë të vitit paraprak (TM4 2017), ka pasur një rritje për 25.0 për qind të ndërmarrjeve të regjistruara. Po ashtu, krahasuar me vitin 2017, në vitin 2018 ka pasur rritje për 6.3 për qind të ndërmarrjeve të regjistruara”, është thënë në raportin e ASK-së.

Sipas ASK-së, aktivitetet ekonomike më të preferuara gjatë këtij tremujori ishin: tregtia me 561 ndërmarrje të regjistruara (23.4 për qind); prodhimi me 280 ndërmarrje të regjistruara (11.7 për qind); akomodim dhe aktivitete të shërbimeve me ushqim me 252 ndërmarrje të regjistruara (10.5 për qind); ndërtimtaria me 244 ndërmarrje të regjistruara (10.2 për qind); aktivitetet profesionale, shkencore dhe teknike me 212 ndërmarrje të regjistruara (8.8 për qind); bujqësi, pylltari dhe peshkatari me 156 ndërmarrje të regjistruara (6.5 për qind); ndërsa aktivitetet tjera marrin pjesë në shkallë më të vogël.

“Në kategorinë me 1 deri në 4 të punësuar janë gjithsej 2 318 ndërmarrje të regjistruara në këtë tremujor (96.5 për qind); me 5 deri 9 të punësuar janë 58 ndërmarrje të regjistruara (2.4 për qind); 10 deri në 19 të punësuar 19 ndërmarrje të regjistruara (0.8 për qind); 20 deri 249 të punësuar me 6 ndërmarrje të regjistruara (0.2 për qind); ndërsa në kategorinë me 250 e më shumë të punësuar nuk ka asnjë ndërmarrje të regjistruara gjatë këtij tremujori”, thuhet në raportin e ASK-së.

Sipas këtij raporti, sa i përket shtrirjes gjeografike të ndërmarrjeve të regjistruara në nivel të komunave, ashtu si në çdo tremujor mbizotëron Komuna e Prishtinës me 766 ndërmarrje të regjistruara (31.9 për qind); Prizreni me 212 ndërmarrje të regjistruara (8.8 për qind); Ferizaj me 188 ndërmarrje të regjistruara (7.8 për qind); Peja me 124 ndërmarrje të regjistruara (5.2 për qind); Gjilani me 109 ndërmarrje të regjistruara (4.5 për qind); ndërsa komunat e tjera kanë numër më të vogël të ndërmarrjeve të regjistruara në këtë tremujor.

/Epoka e re/

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Deputetët e Kuvendit të Kosovë në seancën parlamentare kanë ngritur…