Haradinaj: Ditë historike për sektorin publik
Kryeministri i Kosovës, Ramush Haradinaj, ditën e sotme e ka quajtur historike për punonjësit në sektorin publik.
“Ditë historike për punonjësit në sektorin publik. Sot për herë të parë Kosova u bë me ligjin e pagave, që vendosë rregull në sistemin e pagave dhe rreth 70 përqind të punonjësve në sektorin publik po e përjetojnë rritjen më të madhe të pagave të tyre”, ka shkruar kryeministri në llogarinë e vet në “Facebook”.
Ai ka thënë se po ashtu me kalimin e pakos së ligjeve për administratën shtetërore dhe për zyrtarët publik Kosova ka shënuar një arritje të madhe, duke përmbyllur një punë intensive të të gjitha institucioneve të vendit, në zbatim të programit të punës së Qeverisë, Planit Kombëtar për Zbatimin e MSA-së, Agjendës së Reformave Europiane dhe Strategjisë Kombëtare për Zhvillim.
“Falënderoj deputetët për përmbylljen e kornizës ligjore, që konsiderohet si shtyllë e shtetit dhe funksionimit të tij që i jep vendit qeverisje të mire, zhvillim ekonomik dhe sundim të ligjit, si dhe përafron Kosovën me Bashkimin Europian”, ka shkruar Haradinaj.