KMDLNj propozon ekip të avokatëve për të miturën në Drenas
Këshilli për Mbrojtjen e të Drejtave e të Lirive të Njeriut (KMDLNjk) ka vlerësuar si shumë pozitive efikasitetin dhe shpejtësinë e reagimit nga institucionet si dhe nga të gjithë në lidhje me rastin e përdhunimit të të miturës në Drenas.
“Këshilli për Mbrojtjen e të Drejtave e të Lirive të Njeriut e konsideron si shkelje flagrante dhe shumë të rëndë të këtyre të drejtave duke qenë në anën e viktimës, të miturës së keqpërdorur. Në bazë të dyshimeve të bazuara, e mitura është keqpërdorur seksualisht nga pjesëtarë të dy segmenteve që janë përgjegjës për edukimin dhe formësimin intelektual, nga arsimtari si dhe nga një pjesëtar i një segmenti që është përgjegjës për sigurimin fizik të personave të keqpërdorur dhe të pambrojtur, nga pjesëtari i Policisë së Kosovës i cili ka për detyrim ndërmarrjen e masave ligjore ndaj keqpërdoruesit – arsimtarit e që sipas dyshimeve të bazuara nuk e ka bërë këtë”, është thënë në reagimin e KMDLNj-së .
KMDLNj propozon që për këtë rast sikur që ishte keqpërdorimi i të miturës në Drenas dhe për raste të ngjashme që kanë ndjeshmëri të lartë, të formohet një Ekip i Avokatëve për të Drejtat e Njeriut që do të përfaqësonte viktimën në të gjitha fazat e procedurës, që nga faza parapenale e deri kur do të merret një vendim përfundimtar i Gjykatës përkatëse.
/Epoka e re/