Rekomandohet që mjetet e Trustit të investohen në Kosovë

13 shkurt 2019 | 13:24

Bordi Drejtues i Fondit të Kursimeve Pensionale ka raportuar të mërkurën në Komisionin për Buxhet dhe Financa lidhur me zhvillimet e fundit në tregjet financiare sa i përket mjeteve pensionale.
Kryesuesi i komisionit, Lumir Abdixhiku, ka deklaruar se rënia që ka ndodhur prej 5.3 për qind cilësohet si njëra ndër rëniet më të mëdha që kanë ndodhur që nga kriza e vitit 2008 dhe 2009.
“Trusti ka 1.7 miliard euro në menaxhim dhe të investuara në tregje financiare. rënia e tyre prej 5.3 për qind është rënia më e madhe që nga kriza e vitit 2008. Trusti dhe institucionet tona kanë obligim të përcjellin zhvillimet dhe të parashikojnë zhvillimet e ardhshme në mënyrë që të marrin hapa dhe të parandalohen rëniet e tilla”, u shpreh ai.
Kryesuesi i Bordit të Trustit, Ruzhdi Morina, ka thënë se Fondi ka pasur performancë negative rreth 35 milionë euro, megjithëkëtë ai ka rekomanduar që qytetarët e Kosovës të ndihen të qetë, pasi sipas tij nuk ka nevojë për shqetësime.
“Qytetarët duhet të jenë të qetë sepse situata është në kontroll dhe nuk ka nevojë panik. Fondi bën investime të kursimeve pensionale në parimet e përcaktuara me ligj dhe sigurojmë kthim nga këto investime. Viti 2018 ka qenë vit interesant sa i përket parametrave ekonomik. Të gjithë parametrat kanë qenë të ngjashëm si në vitin 2017, investimet dhe tregjet financiare i ekspozohen rreziqeve. Investimet që kanë ardhur në vitin 2018 janë realizuar dhe kjo ka ndikuar që protokolli i investimeve të rritet 20 për qind”, u shpreh Morina.
Në këtë mbledhje u rekomandua që të krijohet infrastruktura ligjore dhe mjetet e Trustit të investohen në Kosovë.
Naser Osmani nga LDK-ja ka thënë se do të ishte mirë që mjetet e Trustit të investoheshin në Kosovë, përkatësisht në sektorin energjetik.

Rekomandimi i Osmanit u mirëprit dhe nga kryesuesi i Bordit të Trustit, Ruzhdi Morina, i cili ka kërkuar infrastrukturë ligjore për këtë.  “Do të ishim të lumtur t’i investonim këto para edhe ne në Kosovë, sikurse një që të tillë e bën edhe Kroacia në shtetin e vet, dhe nuk i ekspozohet rreziqeve të tregjeve ndërkombëtare”, u shpreh Morina.

(Epoka e re/ A. MAVRAJ)

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Golden State korri suksesin e 41-të sezonal, pas fitores 115-108…