Syla: Pagat e minatorëve do të kompensohen, grevat shkaktuan humbje financiare mbi 1.2 milionë euro

13 shkurt 2019 | 22:53

Kryesues i Bordit Mbikëqyrës të “Trepçës”, Ardian Syla, pas paralajmërimit të Sindikatës së Minatorëve për rifillim të grevës, pasi ata këtë muaj kanë marrë vetëm 60 % të pagës, ka thënë se do të kompensohet pjesa e mbetur e pagës së tyre, pas subvencionimit nga Qeveria e Kosovës.

Syla për gjendjen aktuale financiare në “Trepçë”, ka thënë se ka ardhur si pasojë e bojkotimit dhe grevave paraprake nga minatorët. “Greva e muajit korrik 2018, dhe, greva e pa paralajmëruar dhe e pa arsyeshme e muajit janar 2019, i shkaktuan humbje financiare Ndërmarrjes “Trepça”,  mbi 1.2 milionë euro”.

Ndërkaq, në raportimin para anëtarëve të Komisionit për Zhvillim Ekonomik, ministri  i Zhvillimit Ekonomik,  Valdrin Lluka, të martën,  ka thënë  se “Trepça”, do të subvencionet në shumën deri në 4 milionë euro.

Postimi i plotë i kryesuesit të Bordit të “Trepçës”, Ardian Syla në profilin e vet në “Facebook”:

Në lidhje me paralajmërimin për grevë!

Kohëve të fundit, ndërmarrja “Trepça” është ballafaquar me një varg sfidash në shumë aspekte ligjore dhe ekonomike. Një ndër sfidat kanë qenë edhe grevat e punëtoreve.

Greva e muajit korrik 2018, dhe, greva e pa paralajmëruar dhe e pa arsyeshme e muajit janar 2019, i shkaktuan humbje financiare Ndërmarrjes “Trepça” mbi 1.2 milion euro.

Prandaj, si pasojë e këtyre humbjeve financiare, pagat për muajin janar nuk janë siguruar në tërësi, dhe janë shpërndarë në masën prej 60%, po aq sa ka qenë edhe prodhimi.

Pjesa e mbetur e pagave të janarit, do të kompensohet ditëve në vijim pas shpërndarjes së subvencioneve nga Buxheti i Konsoliduar i Kosovës.

Gjithsesi, ky buxhet i paraparë për paga dhe transfere do të jetë një ndihmesë vetëm për disa muaj në vijim.

Prodhimi aktual në “Trepçë”,  nuk mbulon as pagat e punëtorëve e lëre më shpenzimet tjera operative. Prodhimi duhet të ngritët në mënyrë që të sigurohet një stabilitet financiar.

Prandaj, thirrjet për greva janë të pa arsyeshme, qëllim keqe dhe dërgojnë ndërmarrjen në një kolaps më të thellë financiar. Një bashkëpunim me i mirë mes punëtoreve dhe menaxhmentit, është më se i nevojshëm, i pashmangshëm, për të rimëkëmbur ndërmarrjen.

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Kryetari i Lidhjes Demrokatike të Kosovës (LDK),  Isa Mustafa, ka…