Rama flet pas incidentit me ngjyrën: Paloka me shiringë në dorë e turpëroi parlamentin

14 shkurt 2019 | 19:57

Kryeministri Edi Rama ka reaguar lidhur me incidentin e sotëm në Kuvend, ku deputeti i PD-së, Edi Paloka hodhi ngjyrë në drejtim të tij.

Në përgjigje të një komentuesi, Rama përmes rubrikës “Përgjigjja ime” thotë se dëmi më i madh një shoqërie i vjen nga budallallëku.

Duke iu referuar Palokës, Rama thotë se ai kurajën e merr nga budallallëku i vetëdijshëm i dy partive opozitare në Kuvend.

Kryeministri thotë se sot ishte një ditë e rëndësishme për shqiptarët e Maqedonisë së Veriut, por që për fat të keq u kthye në ditën e mavrisë me ngjyrë.

Reagimi i Edi Ramës

Asnjë nga sëmundjet nuk i bën më dëm një shoqërie se budallallëku. Budallallëku i vetëdijshëm dëmton shumë më tepër dhe sado ta luftosh nuk e kufizon dot, sidomos kur gëzon mandate përfaqësimi politik dhe analizimi mediatik. Problemi me budallain e vetëdijshëm është krenaria me të cilën ai shfaqet në të gjithë budallallëkun e tij të pakufizueshëm.

Në rastin tonë, ky problem është ende më i madh. Budallai është një njeri me shiringë në dorë që hedh bojën përjetë në Kuvend ndërsa budallallëku që i jep atij guximin dhe krenarinë është një parti e tërë parlamentare. Madje është dhe më keq se kaq.Nuk është një por janë dy parti parlamentare që e kanë kthyer me vetëdije budallallëkun në një platformë ku gjithëkush përpiqet të kërcejë sa më lart në qiellin e budallallëqeve.

Kjo nuk është punë grushtash dhe shkelmash, dhe as puna e një budallai të vetëm dhe pse ky i sotmi është një lloj i veçantë,është një palobudalla. Sot ishte dita ku të gjithë shqiptarët e Maqedonisë së Veriut i kishin sytë te Kuvendi i Shqipërisë por mjaftoi një paloshqiptar bashkë me të zotin e tij  për ta bërë ditën e mavrisë me bojë.

Për fatin më të keq dhe turpin më të madh kjo u bë dita e budallait shembullor.Kjo u bë dita e budallallëkut universal të opozitës së Shqipërisë e cila ofendoi mikun e ardhur nga Maqedonia e Veriut, kryetarin shqiptar të Kuvendit të ri të Maqedonisë së Veriut duke shkelur çdo rregull dhe normë të mirëpritjes.U bë dita e gjuhës së dhunshme. Sot një katran me bojë i vuri vulën me krenari një tjetër shfaqje turpëruese për ne dhe emrin e vendit tonë në tërë sytë dhe veshët e dynjasë.

Asnjë armik i Marrëveshjes së Prespës, asnjë armik i shqiptarëve dhe gjuhës shqipe në Maqedoninë e Veriut, në Kosovë dhe kudoqoftë, asnjë armik i këtij kombi dhe këtij vendi nuk do ta katranoste më keq sot imazhin e Shqipërisë në Parlament. Si të mos mjaftonte budallai që me shiringë në dorë e turpëroi krejt parlamentin, ja behu në derë të parlamentit dhe boja vetë dhe shpjegoi se shiringa ishte stilograf.

Ata se kanë me mua, ata e kanë me ju. Unë jam vetëm pengesa mes tyre dhe jush. Kjo është arsyeja që durimi nuk më humbet por veç më kalitet, pasioni nuk më tretet por veç më shtohet dhe vendosmëria nuk më bie por veç më rritet. Këta janë të zhurmshëm, edhe të lodhshëm, por këta janë dhe mbeten një pakicë që shumicë dot nuk bëhen.

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi, në prag të Ditës Kombëtare…