Futbollisti nga Hondurasi: Në Kosovë e duan futbollin, Prizreni qytet i bukur

22 shkurt 2019 | 10:24

Roby Norales ishte një nga përforcimet e Lirisë së Prizrenit gjatë afatit të shkuar. Sulmuesi 28-vjeçar ka luajtur edhe një takim me Kombëtaren e Hondurasit, por pa mundur të vazhdojë më tej me atë fanellë. Karriera e tij është e pasur dhe në kontinente të ndryshme, ndërsa rrugëtimin e vazhdoi në Kosovë.

Sipas një interviste të publikuar së fundmi nga ana e këtij lojtari, Norales ka rrëfyer gjithë përshtypjet e tij të para, shkruan “Shqiperia.ch”. Ashtu siç edhe vetë futbollisti i Hondurasit do të shprehej, komentet e marra nga shokët e tij dhe pritshmëria për Kosovën nuk ishte edhe aq e mirë, gjë e cila ndryshoi menjëherë pas zbritjes në trevën shqiptare.

“I ftohti që kur kam arritur ka qenë shumë i shëmtuar, tre gradë nën zero. Por, jam duke u përshtatur, për t’u futur në fushën e lojës e për të vazhduar në mënyrën e duhur. Kur mbërrita në Kosovë mendoja se njerëzit do të ishin arrogantë dhe nuk do ta mbështesnin futbollin. Por, në momentin që unë lë apartamentin, kur shkoj për të ngrënë diçka apo në stadium, takoj njerëz që më pyesin për të bërë foto. Ata janë vërtet tifozë të futbollit dhe që e duan këtë sport”, ka thënë Norales.

“Kur kam pyetur për Kosovën fillimisht nëpër miqtë e mi, shpreheshin se ishte një vend ende në luftë, pasi kishte shumë masakra me Serbinë. Por vendi është në gjendje të mirë tani dhe qyteti (Prizreni) është i bukur. Ushqimi nuk ka yndyrë dhe nuk ka pula të pjekura siç i kemi ne të zakonshme në Honduras. Këtu ka më shumë perime, duke na ndihmuar që të jemi edhe më profesional”, u shpreh Norales.

Fjalët Kyçe:

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Jo çdo herë na jepet mundësi që të shijojmë gjëra…