ShBA-ja bën thirrje për uljen e tensioneve Indi-Pakistan
Sekretari amerikan i Shtetit, Mike Pompeo, ka bërë me dije se ka biseduar me udhëheqësit e Indisë dhe Pakistanit dhe u ka bërë thirrje t’i shmangen “çfarëdo veprimi që mund të eskalojë dhe të rrisë më shumë rrezikun”.
Thirrje për uljen e tensioneve janë bërë edhe nga Bashkimi Evropian. Të mërkurën, shefja e diplomacisë evropiane, Federica Mogherini, ka ftuar Indinë dhe Pakistanin të tregojnë “vetëpërmbajtje” dhe të ulin tensionet.
“Ne presim që të dyja vendet të përmbahen dhe të shmangin përshkallëzimin e mëtejshëm të situatës. Për këtë qëllim, rifillimi i kontakteve diplomatike në nivel politik dhe zbatimi i masave urgjente nga të dyja palët është jetësore”, ishte thënë në komunikatën e shefes së diplomacisë evropiane, Federica Mogherini.
Incidentet e fundit mes dy vendeve pasojnë incidentin e 14 shkurtit, kur militantët më bazë në Pakistan kryen një sulm vetëvrasës ndaj një konvoji në rajonin e Kashmirit të administruar nga India. Sulmi la të vdekur mbi 40 ushtarë të Indisë.
India e ka akuzuar Pakistanin, se ka ndërlidhje të drejtpërdrejtë me sulmin përderisa e bëri përgjegjës për përkapjen që i bën grupit militant.
India dhe Pakistani, të dyja fuqi bërthamore, kanë pretendime ndaj rajonit të Kashmirit që nga viti 1947 si dhe kanë zhvilluar dy lufta për këtë rajon. /Rel/