Lekaj: Koalicioni nuk lëkundet shkaku i taksës

02 mars 2019 | 11:01

Ministri i Infrastrukturës, njëherësh nënkryetar i AAK-së, Pal Lekaj, në një intervistë për Ekonomia Online ka folur në lidhje me koalicionin qeverisës, taksën e vendosur ndaj mallrave që vijnë nga Serbia si dhe raportet me SHBA-në.

Ai ka thënë se kryeministri Haradinaj nuk e ka ndërmend të heq taksën ndaj Serbisë derisa ka mohuar çdo zë se koalicioni qeverisës është jostabil si shkak i kësaj takse dhe presionit të SHBA-së për ta hequr atë.

Lekaj thotë se taksa ka sjellë rezultate pozitive duke ngritur prodhimet vendore deri në 25 për qind.

“Sa i përket taksës ne kemi pru një vendim të përbashkët, koalicioni qeverisës, Qeveria e Kosovës ka marrë një vendim sovran, ne nuk kemi lëvizur fare prej atij vendimi. Nuk e di pse me lëviz kur ajo shkon në dobi të forcimit të shtetit, zhvillimit ekonomik e sidomos ka ndikuar mjaftë pozitivisht në ndërmarrësinë e Kosovës. Kanë filluar të ngritën prodhimet vendore diku 25 për qind, prandaj mendoj që është marrë një vendim i mirë për Kosovën dhe Qeveria ka marrë vendim sovran”, ka thënë Lekaj për Ekonomia Online.

Për koalicionin Qeverisës, Lekaj ka thënë se është i qëndrueshëm dhe do të vazhdojë i tillë. Ai ka mohuar zërat se koalicioni qeverisës është lëkundur për shkak të taksës së vendosur ndaj mallrave serbe.

Por, ka përsëritur se raportet me SHBA-në nuk prishen ngase siç tha ai shteti i Kosovës u ndërtua bashkë me ta.

“Ajo që mund të them se ka mjaftë thashetheme dhe zëra të ndryshëm se ne do të prishim raportet tona me Shtetet e Bashkuara të Amerikës, ne në asnjë mënyrë, Qeveria e Kosovës, kryeministri i vendit, Ramush Haradinaj, nuk do t’i prish këto raporte që janë ndërtuar me vite dhe kemi ndërtuar shtetin e Kosovës bashkë me ta. Aspak nuk lëkunden raportet me SHBA-në sepse ata na kanë mësuar se si merren vendimet e mira për vendin dhe kanë qenë udhërrëfyes i mirë edhe për qeverisjen e Kosovës. Qeveria nuk lëkundet për taksën, koalicioni është mjaftë korrekt dhe i qëndrueshëm dhe vazhdojmë”, ka thënë Lekaj.

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Ish-zëvendëspresidenti i SHBA-së, Joseph Biden, pas takimit me presidentin Thaçi…