Kurti: Barazia gjinore do t’i sillte Kosovës vetëm zhvillim

08 mars 2019 | 16:35

Kryetari i Lëvizjes Vetëvendosje, Albin Kurti, me rastin e Ditës Ndërkombëtare të Gruas, ka thënë se barazia gjinore do t’i sillte Kosovës vetëm zhvillim

“Jam i bindur se barazia gjinore do t’i sillte Kosovës vetëm zhvillim, në të gjitha sferat. Sot 80 për qind e grave janë të përjashtuara nga tregu i punës, dhe prej pjesës së mbetur, vetëm 60 për qind punon. Pra 7 nga 8 gra janë të papuna. Kjo është përqindje skandaloze. Gratë duhen ndihmuar për solidaritet gjinor, sepse konkurrenca pa bashkëpunim është rrënim”, ka shkruar Kurti në llogarinë e vet në “Facebook”.

Postimi i plotë i Kurtit:

Sot është Dita Ndërkombëtare e Gruas. Kudo në botë patriarkati vazhdon të sundojë, por po ashtu vazhdon edhe lufta e njerëzimit për barazi e emancipim.

Gratë veprimtare, gratë punëtore, shkencëtare, artiste, por edhe gratë e papunësuara, mbajnë një peshë të stërmadhe, që historia ashtu siç studiohet sot ende nuk ua ka njohur sa duhet. Prej fillesave, veprimtareve që u angazhuan për arsimin e vajzave, për të kaluar tek organizatoret e protestave dhe grevave për të drejtat e grave në vendet e punës, prej sufrazhetave që luftonin për të fituar edhe gratë të drejtën e votës deri te lufta që ende vazhdon për pjesëmarrjen e gruas në çdo nivel të politikëbërjes.

Pa harruar miliona gra që kanë luftuar në gjithë botën kundër të këqijave të mëdha, kundër fashizmit, kundër kolonializmit, për çlirimin e vendeve, kundër regjimeve shtypëse. Edhe kombi ynë ka pasur dhe ka gra të tilla, dhe ne duhet të krenohemi më shumë me to. Duhet të studiohen jetët e tyre në shkolla, të emërtohen rrugë e sheshe, të kenë shtatore e nderime.

Vendet ku ka më pak pabarazi janë më të zhvilluara e më demokratike, kjo ndodh për shumë arsye, por njëra prej tyre sigurisht është edhe fakti se ato vende përfitojnë nga kontributi i grave në ekonomi, shkencë, art, politikë. Vendet ku pabarazia është e thellë, e kanë më të vështirë të zhvillohen, sepse atje paraprakisht përjashtohet kontributi i gjysmës së popullsisë. Është si të kërkosh të fitosh maratonën pa i përdorur të dyja këmbët.

Jam i bindur se barazia gjinore do t’i sillte Kosovës vetëm zhvillim, në të gjitha sferat. Sot 80 për qind e grave janë të përjashtuara nga tregu i punës, dhe prej pjesës së mbetur, vetëm 60 për qind punon. Pra 7 nga 8 gra janë të papuna. Kjo është përqindje skandaloze. Gratë duhen ndihmuar për solidaritet gjinor, sepse konkurrenca pa bashkëpunim është rrënim.

Në qeverisjen e Lëvizjes do të veprojmë për ta ndryshuar këtë, dhe do ta ndryshojmë. Por së pari duhet të ndryshojmë edhe veten. Vetëm një në katër anëtarë të Lëvizjes është grua. Dhe është detyrë e të gjithë anëtarëve e aktivistëve që kjo të ndryshojë sa më shpejt.

Mjaft më me rehatinë përballë pabarazisë!

Mbështetje e pakushtëzuar për betejën e grave për barazi!

/Epoka e re/

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Zëvendëskryeministri i Kosovës, Fatmir Limaj ka vendosur lule tek memoriali…