Kosova nuk lejon hyrjen e basketbollistëve serbë

11 mars 2019 | 15:16

Shteti i Kosovës i ka treguar dhëmbët edhe një herë, duke ia ndaluar hyrjen pa leje në territorin e tij të klubit serb, Sloga nga Kraljeva

Klubet serbe një kohë futeshin në Kosovë si në bahçe të babës, shkruan Gazeta Express. Mirëpo, ato nuk do ta kenë më këtë privilegj. Në fakt, muajt e fundit shteti kosovar është duke e treguar autoritetin e tij karshi skuadrave serbe, të cilat nuk po i lejon të futen në territorin e tij. Një “fat” të tillë e pati fundjavën ë shkoi edhe klubi i basketbollit Sloga nga Kraljeva.

Sipas agjencisë “Tanjug”, basketbollistët e rinj të klubit serb janë ndaluar në kufi dhe nuk janë lënë të futen në Kosovë. Drejtori i Zyrës së Policisë në Mitrovicën e Veriut, Marko Djuriç, i ka dënuar veprimet e Prishtinës, të cilat i ka konsideruar si një anti-civilizim, abuzive dhe si përbuzëse. “Nuk ka asnjë justifikim për këtë ndikim të Prishtinës në lirinë e lëvizjes, e cila tani ndalon dhe se të rinjtë që janë të angazhuar në sport që të udhëtojnë lirshëm”, ka thënë Djuric për “Tanjug”. Ai shtoi se ky veprim i vazhdueshëm anti-civilizim në javët dhe muajt e fundit po shkon drejt kulminacionit të tij dhe i ka bërë thirrje bashkësisë ndërkombëtare të reagojë.

“Jo vetëm që po shkelen marrëveshjet dhe detyrimet që i kanë institucionet e Prishtinës, por për shkak se një rast i tillë nuk ka asnjë sens”, ka shtuar ai. Ai ka paralajmëruar se ata që dhanë urdhër për ndalimin e kontingjentit serb që të futet në territorin e Kosovës do të bartin pasoja në të ardhmen. “Ne do ta shikojmë se kush, me emër e mbiemër, është përgjegjës për këtë sjellje të pahijshme ndaj sportistëve dhe fëmijëve dhe pasojat mund të shkojnë përtej kufijve të Serbisë”, paralajmëron Djuric.

Edhe Lista Serbe ka reaguar ndaj ndalimit të klubit të basketbollit Sloga në pikëkalimin kufitar në Jarinje. Sipas saj, Qeveria e Prishtinës edhe një herë i mohoi të gjitha të drejtat e njeriut me ndaljen e ekipit të të rinjve serb, me ç’rast Lista Serbe shtoi se Kosova e theu marrëveshjen që u nënshkrua në Bruksel pasi po ua mohon serbëve të drejtat dhe liritë e lëvizjes.

Lista Serbe ka kërkuar po ashtu nga bashkësia ndërkombëtare që të merret me këtë rast, duke e dënuar këtë sjellje të Kosovës.

Edhe në muajt e kaluar, klube të sporteve të ndryshme serbe, të cilat ia kishin mësyrë Kosovës pa marrë leje, janë ndalur në kufirin e Jarinjes.

 

 

 

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Nxënësit e Kosovës vazhdojnë të shkëlqejnë në garat ndërkombëtare. Këtë…