LRGEJL lanson projektin e ri për ndërtimin e kapaciteteve për gratë në ndërmjetësim

12 mars 2019 | 16:50

Lobi Rajonal i Grave për Paqe, Siguri dhe Drejtësi në Evropën Juglindore (LRGEJL), i kryesuar nga Edita Tahiri, në bashkëpunim me OKB dhe UN Women kanë lansuar projektin e ri për ndërtimin e kapaciteteve për gratë në ndërmjetësim, që konsiderohen qenësore në përpjekjet për ndërtimin e paqes në rajon me rolin e gruas në qendër.

Në punëtorinë e sotme me dizajn konceptual e ka miratuar një qasje nga poshtë lartë dhe një perspektivë rajonale të ndërtimit të paqes, duke u bazuar në përvojën e bollshme në zgjidhjen e konfliktit në rajon.

Udhëheqëset kryesore të LRGEJL-së, më saktësisht anëtaret e Komitetit Drejtues nga rajoni i Ballkanit Perëndimor, gra përfaqësuese nga nivelet lokale nga komunitete të ndryshme dhe eksperte nga Njësia e OKB-së për Mbështetje të Ndërmjetësimit, u mblodhën për t’i diskutuar nevojat dhe pritjet për trajnimin në ndërmjetësim dhe për t’u dakorduar lidhur me një metodologji për shpalosjen e një trajnimi të tillë, i cili synon të zhvillojë shkathtësitë e bisedimit/ndërmjetësimit me qëllim të avancimit në ndërtimin e mirëbesimit dhe paqes.

Përqendrimi gjeografik i projektit në afat të gjatë kohor do të jetë i tërë rajoni perëndimor i Ballkanit.

LRGEJL-ja është një organizatë rajonale e grave që vazhdimisht ka theksuar nevojën për pjesëmarrjen e grave në të gjitha proceset politike dhe paqësore, dhe po ashtu ka pasur një rol vendimtar në shtyrjen përpara të çështjeve me prioritet të ndërlidhura me gjendjen pas konfliktit, rindërtimin, ndërtimin e paqes dhe besimit dhe pajtimin.

Pjesëmarrëset e takimit ishin: Edita Tahiri, kryesuese e LRGEJL/ Ish-ministre për Dialog dhe kryenegociatore, Kosovë; Gordana Sobol, anëtare e Komitetit Drejtues të LRGEJL/ Ish-AP dhe Kkyesuese e Komitetit për Mandat dhe Imunitet, Kroaci; Sonja Biserko, anëtare e Komitetit Drejtues të LRGEJL/Drejtoreshë e Komitetit të Helsinkit për të Drejta të Njeriut, Serbi; Eglantina Gjermeni, anëtare e Komitetit Drejtues të LRGEJL /Anëtare e Parlamentit (AP), ish-Ministre e Zhvillimit Urban, Shqipëri; Nada Drobnjak, Anëtare e Komitetit Drejtues të LRGEJL; AP, shefe e Komisionit Parlamentar për Barazi Gjinore, Mal i Zi; Irina Pockova, anëtare e Komitetit Drejtues të LRGEJL / Kryesuese e Divizionit të Grave në partinë politike SDA, Maqedoni; Memnuna Zvizdić, anëtare e Komitetit Drejtues të LRGEJL, Drejtoreshë Ekzekutive e organizatës “Žene Ženama”, Bosnjë dhe Hercegovinë; Prof Miriam Coronel Ferrer, Ekipi Zëvendësues i Ekspertëve Ndërmjetësues të Kombeve të Bashkuara, Filipine; Ms. Vilma Kyyrönen, Divizioni për Politika dhe Ndërmjetësim, Njësia për Gjini, Paqe dhe Siguri, Departamenti i Çështjeve Politike dhe të Ndërtimit të Paqes; Jo-Anne Bishop, përfaqësuese e OKB-së; Vlora Tuzi-Nushi, Ushtruese e detyrës së Shefes së UN Women, Kosovë; Diana Çekaj-Berisha, koordinatore e LRGEJL, Arbresha Dedinja, asistente e Projekteve në LRGEJL dhe gratë përfaqësuese në nivel lokal nga komunitete të ndryshme në Kosovë.

LRGEJL është një organizatë unike rajonale e grave për ndërtimin e paqes e themeluar në vitin 2006 me përkrahjen e UN Women.

Misioni i saj është t’i fuqizojë gratë në proceset e paqes dhe në vendimmarrje në përpjekje të promovimit të paqes, stabilitetit dhe integrimit evropian dhe euro-atlantik të Ballkanit Perëndimor.

LRGEJL konsideron se më shumë gra të përfaqësuara në procesin e paqes dhe proceseve politike, sjell rezultate më të mira dhe më të qëndrueshme.

Anëtaret e saj janë gra të nivelit të lartë nga politika, parlamentet, qeveritë dhe shoqëria civile nga Shqipëria, Bosnja e Hercegovina, Kroacia, Maqedonia, Kosova, Mali i Zi dhe Serbia.

/Epoka e re/

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Përzgjedhësi i Përfaqësues U21 të Kosovës në futboll, Rafet Prekazi,…