Koordinatori Hoti takohet me përfaqësuesit e SBAShK-ut

14 mars 2019 | 14:33

Koordinatori Nacional për Kulturë, Rini dhe Sport në Qeverinë e Kosovës, Rexhep Hoti, ka pritur në takim kryetarin e Sindikatës së Bashkuar të Arsimit, Shkencës dhe Kulturës, Rrahman Jasharaj si dhe menaxherin e Financave, Ymer Ymeri.

Hoti ka njoftuar SBAShK-un me rrjedhën e zbatimit të Programit Nacional për Rininë, duke thënë se ata janë komponentë e rëndësishme e zhvillimit të arsimit në Kosovë.

“Përmes këtij programi ne po krijojmë hapësirë për të gjithë nxënësit që të shprehin talentin e tyre. Programi është i përkthyer edhe në gjuhët e komuniteteve në Kosovë dhe ata kanë shprehur interesim të madh për të qenë pjesë e garës. Gara në nivelin e shkollës për kreativitet kulturor dhe mendim kritik ka filluar dhe shkollat tashmë janë përfshirë në atmosferën e garës. Ne kemi vizituar shumë shkolla e drejtori komunale për të parë nga afër procesin e garës sepse për ne është shumë e rëndësishme gara në nivelin e shkollës sepse aty përfshihen të gjithë nxënësit”, u shpreh koordinatori Hoti.

E kryetari Rrahman Jasharaj, ritheksoi mbështetjen e SBAShK-ut për programin duke thënë se do të japin kontributin e tyre sa herë që është e nevojshme.

“Ne jemi duke përcjellë aktivitetet tuaja dhe ju përgëzojmë për punën që jeni duke bërë, sidomos në përfshirjen e nxënësve shqiptarë nga Lugina e Preshevës. Ju lumtë që nuk i keni harruar trojet shqiptare. Jam i lumtur që programi ka filluar të veprojë nëpër shkolla sepse ju keni bërë një program që u mundëson nxënësve të jenë të barabartë. Unë ju premtoj prapë se e keni mbështetjen tonë të plotë për çka do që keni nevojë”, ka thënë Jasharaj.

Në takim morën pjesë edhe zëvendësministrja e Kulturës, Rinisë dhe Sportit, Leonora Morina-Bunjaku, si dhe zëvendësministri i Arsimit, Shkencës dhe Teknologjisë Azem Guri.

Zëvendësministrat theksuan mbështetjen e ministrive që përfaqësojnë, duke treguar po ashtu se kanë zhvilluar vizita dhe takime me drejtorë shkollash, mësimdhënës e nxënës nëpër të gjitha komunat e Kosovës.

/Epoka e re/

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Claudio Ranieri u emërua trajner i Romës pas shkarkimit të…