Kurti: Janë tri arsye kryesore pse NATO-ja hyri në luftë para dy dekadash

24 mars 2019 | 11:50

Kryetari i Lëvizjes Vetëvendosje, Albin Kurti, përmes një shkrimi në llogarinë e vet në “Facebook”, ka shkruar se janë tri arsye kryesore pse NATO hyri në luftë para dy dekadash.

“Dita e parë dhe e fundit e këtij intervenimi 78 ditor ishin më të mirat. Sepse u godit Serbia dhe sepse u dorëzua ajo. Midis këtyre dy çasteve kemi mesatarisht nga 5 masakra në ditë kundër shqiptarëve anembanë Kosovës. Në këtë pranverë populli i Kosovës do të përkujtojë mijëra 20 vjetorë, të dhembjes e pikëllimit për humbjet e vuajtjet, të krenarisë e shpresës për vendosmërinë dhe ardhmërinë”, ka shkruar Kurti.

Shkrimi i plotë i Kurtit: 

20 vjet u mbushën sot nga bombardimet e NATO-s mbi forcat serbe. E treta e vërteta: perëndimi ndërhyri ushtarakisht kundër Jugosllavisë    Tretë  e cila ishte bërë  tërësisht e Milosheviqit. 

Janë tri arsye kryesore pse NATO hyri në luftë para dy dekadash:

1. Sepse presidenti i Jugosllavisë , Slobodan Milosheviq, nuk pranoi ta nënshkruante dokumentin e Rambujesë (ndonëse ai ishte mjaft i favorshëm për Serbinë). Kjo ishte në kontrast me marrëveshjen e Daytonit e cila e kishte fuqizuar Milosheviqin brenda (si pushtet) e jashtë (si personalitet). 

2. Që Kosova të mos bëhej Bosnje. Me Srebrenicën në mendje dhe Reçakun para syve, nuk mund të lejohej përsëritja e gjenocidit në Evropë duke qëndruar duarkryq aleanca më e fuqishme në historinë e njerëzimit. Edhe kredibiliteti global i NATO-s dhe perëndimit ishin në pyetje. 

3. Që Maqedonia të mos bëhej Kosovë. Vazhdimi i luftimeve midis UÇK-së dhe forcave serbe nuk do të  mund të mbahej për shumë gjatë i lokalizuar në Kosovë. Shqiptarët ishin nën sulm mizor dhe përfshirja e Maqedonisë në luftë e bënte kalimin nga rreziku lokal në paparashikueshmëri rajonale (më së paku). 

Dita e parë dhe e fundit e këtij intervenimi 78 ditor ishin më të mirat. Sepse u godit Serbia dhe sepse u dorëzua ajo. Midis këtyre dy çasteve kemi mesatarisht nga 5 masakra në ditë kundër shqiptarëve anembanë Kosovës. Në këtë pranverë populli i Kosovës do të përkujtojë mijëra 20 vjetorë, të dhembjes e pikëllimit për humbjet e vuajtjet, të krenarisë e shpresës për vendosmërinë dhe ardhmërinë.

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Ministrja e Bujqësisë, Pylltarisë dhe Zhvillimit Rural, Dijana Zivic, ka…