Haradinaj: Përjetë mirënjohës NATO-s dhe ShBA-së

24 mars 2019 | 13:43

Kryeministri i Kosovës, Ramush Haradinaj, ka thënë së vendi ynë do t’i jetë përjetë mirënjohës NATO-s dhe Shteteve të Bashkuara të Amerikës (ShBA).

Ai në manifestimin qendror kushtuar 21-vjetorit të “Epopesë së UÇK-së” në Dukagjin, ka thënë se historia e Dukagjinit është vlefshme dhe e pasur.

“Unë jam rritur si fëmijë me plotë thënie e histori të luftërave shqiptare. I kam lexuar, por kam dashur gjithmonë t’i dëgjoj historitë e luftërave të Dukagjinit. Historia jonë është jashtëzakonisht e vlefshme dhe e pasur. Dukagjini ka lënë nam në të gjitha kohërat e veta, edhe para Lekë Dukagjinit edhe pas tij. Ngjarja që ka bërë kthesë në historinë e shqiptarëve, është bashkimi i Lekës, kur ai bashkoi shqiptarët në atë kohë. E ndjejmë akoma atë histori, por ne nuk e ndalëm luftën asnjëherë dhe vetëm lufta e fundit, pikërisht në tokën e Dukagjinit, u bë edhe një herë bashkimi, ai në UÇK. Kushdo që erdhi u bëmë bashkë në luftën tonë për liri”.

“U bashkuam mes vete dhe qëndruam bashkë, në përballjet më të vështira dhe dhimbje të mëdha. NATO filloi sulmet ajrore. Populli ynë e ka një memorie, dhe e ka një thënie: ‘Miku i mirë në ditë të vështira’. NATO na u gjind, e prirë prej Amerikës në ditët më të vështira të jetës tonë. Ne i jemi përjetë mirënjohës NATO-s dhe Amerikës”, ka thënë Haradinaj.

Më tutje, ai ka thënë se më 24 mars 1998 në Gllogjan ka vazhduar pushka e komandantit legjendar, Adem Jasharit.

“Atë ditë, Ademi dhe luftëtarët janë ndjerë krenar sepse ishte ajo pushkë që nuk u ndal asnjëherë dhe na solli lirinë. Lufta e Gllogjanit është si luftërat, betejat që kanë folur për to dhe kanë thënë një fjalë – ‘Nëpër luftëra të rrepta gjithmonë kemi ra, por me faqe të bardhë gjithmonë jemi nda’”, ka deklaruar Haradinaj.

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Forcat e mbështetura nga Shtetet e Bashkuara shpallën të shtunën…