Veseli: Dhuna ndaj fëmijëve dhe grave nuk duhet toleruar asnjëherë

25 mars 2019 | 11:56

Kryetari i Kuvendit të Republikës së Kosovës, Kadri Veseli, ka thënë se nëpërmjet mënyrës se si i trajtojmë sot fëmijët shpërfaqet edhe vizioni ynë për të ardhmen.

Këto komente kryeparlamentari Veseli i ka bërë në takimin e sotëm të lansimit të fushatës së ndalimit të ndëshkimit trupor dhe dhunës ndaj fëmijëve, organizuar nga Komisioni për të Drejtat e Njeriut, Barazi Gjinore dhe Peticione, në bashkëpunim me partnerët mbështetës të komisionit organizatat “Save the Children” në Kosovë dhe “Syri i Vizionit”.

Kryetari i Kuvendit ka thënë se të flasësh për të drejtat e fëmijëve do të thotë të flasësh për diçka shumë të rëndësishme për shoqërinë tonë, duke treguar kështu se si po trajtohet e ardhmja.

Veseli ka theksuar se Kosova duhet të krijojë gjenerata të përgatitura të të rinjve, të cilët janë të gatshëm të përçojnë mesazhe dhe të jenë bartës të prosperitetit, inovacionit, të edukimit e të zhvillimit.

“Nuk mund të paramendohet një prind i cili mund të ushtrojë dhunë ndaj fëmijës, aq më pak në shoqërinë tonë, e cila jo më larg se dy dekada më parë i është nënshkruar një dhune sistematike dhe shkatërruese, duke lënë pasoja, të cilat janë evidente edhe sot”, ka deklaruar Veseli.

Sipas tij, dhuna ndaj fëmijëve dhe grave nuk duhet toleruar asnjëherë. Nëse ka denoncime të tilla, Veseli  ka thënë se sigurisht kemi të bëjmë me njerëz që kanë probleme dhe duhet trajtuar profesionalisht në sektorë të caktuar, përkatësisht nga psikologë dhe neuropsikiatër.

“Gjeneratat e reja janë e ardhmja e shtetit tonë dhe bartëse të zhvillimit të tij, prandaj duhet t’i trajtojmë me kujdes dhe të përkujdesemi maksimalisht për to”, është shprehur Veseli.

/Epoka e re/​

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Shoqata e Bankave të Kosovës (ShBK),  në kuadër të aktiviteteve…