Thaçi: Nuk do t’i harrojmë asnjëherë krimet e kryera nga Serbia

26 mars 2019 | 14:13

Presidenti i Republikës së Kosovës, Hashim Thaçi, ka bërë homazhe në nderim të të rënëve të Krushës së Vogël në 20 vjetorin e rënies së tyre.

“Sot do t’i kujtojmë 113 martirët e Krushës së Vogël dhe do t’i kujtojmë mijëra qytetarë të Kosovës, pleq, të rinj dhe fëmijë që u vranë vetëm pse ishin shqiptarë. Dhunën sistematike të pushtetit serb e ka përjetuar anekënd Kosovës. Forcat serbe dëbuan mbi gjysmë milion njerëz, Serbia ka kryer gjenocid dhe këtë e përjetoi popullata civile”.

“Nuk do t’i harrojmë asnjëherë krimet e bëra nga Serbia dhe kryesit e këtyre do të japin përgjegjësi. Zëri juaj, lotët tuaj, dhimbja juaj flet më shumë se çdo fakt tjetër. Sot jemi në Krushë të Vogël që është simbol i mbijetesës dhe rilindjes së Kosovës së re. Liria dhe shteti i kanë themelet mbi gjakun e atyre që ranë mbi liri dhe pavarësi”, ka deklaruar Thaçi.

Thaçi ka thënë se institucionet do të angazhohen për zbardhjen e fatin e të pagjeturve. Ai ka theksuar se nuk duhet pritur asnjë e mirë nga ata serbë që ishin pjesë e sistemit që ka kryer gjenocid në Kosovë.

“Të jeni të sigurt se të gjitha institucionet do të jenë të angazhuara për të zbardhur fatin e të pagjeturve dhe t’i kthejnë në vendin ku kanë lindur. Por në të njëjtën kohë edhe ju e kuptoni se përsëri në përballje kemi po të njëjtit njerëz që ishin pjesë e atij sistemi që kreu spastrim etnik dhe gjenocid në Kosovë, pra janë njerëz të instaluar në Beograd. Prandaj, asnjë nga ne nuk duhet të presim të mirë nga ta”, është shprehur presidenti Thaçi.
.

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Epopeja e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës në Prekaz më 5,…