Petroviqi: Serbët mbrohen nga institucionet e Kosovës, Lista Serbe po nxit urrejtje

26 mars 2019 | 17:55

Kryetari i Partisë Liberale Serbe (SLS), Slobodan Petroviq, i cili është deputet i Kuvendit të Kosovës, ka pritur një grup studentësh serbë të shkencave politike, të cilëve iu ka treguar për funksionimin e Kuvendit dhe jetën politike të serbëve këtu.

Petroviqi ka thënë se në Kuvendin e Kosovës serbët përfaqësohen nga dy opsione politike. Njëri është SLS-ja, të cilin e udhëheq ai, dhe tjetri është Lista Serbe, e cila ka aktualisht 10 deputetë.

Ai ka treguar se SLS-ja, që nga viti 2007 përfaqësohet në Kuvend dhe ka qenë pjesë e Qeverisë në dy mandate.

Petroviqi ka thënë se vendi më i mirë për të mbrojtur interesat e serbëve të Kosovës është pjesëmarrja në Kuvend dhe në institucionet e tjera të Kosovës, raporton Ekonomia Online.

“Ajo çka është politikë e SLS-së është që të luftojmë për të drejtat tona, për interesat tona. Dhe nuk ka vend më të mirë se ky vend, ky institucion”, ka thënë Petroviqi, i cili në të kaluarën ka mbajtur dhe postin e zëvendëskryeministrit dhe të ministrit në Qeverinë e Kosovës.

“E di ka pasur edhe atëherë, edhe tash, njerëz që më shumë kritikojnë sesa që punojnë diçka. Nëse më pyesni edhe mua a jam i kënaqur (me gjendjen e serbëve), them ‘jo nuk jam i kënaqur’. Nuk kam qenë as atëherë, nuk jam as tash”, ka thënë ai.

Por, Petroviqi është shprehur i bindur se aktivizmi i tyre dhe pjesëmarrja në institucione ka ndihmuar që serbët në Kosovë të kenë jetë më kualitative.

Sipas tij, në një kohë serbët nuk kanë qenë të lirë të flasin gjuhën e tyre në rrugë ose nëpër institucione. “Kjo nuk është më rast”.

“Për 7 vjet sa kemi qenë pjesë e Qeverisë së Kosovës kemi arritur që të investojmë mbi 50 milionë euro në vendbanime me serbë”, ka thënë deputeti serb.

Petroviqi, i cili kohët e fundit ka pasur përplasje të hapur me Listën Serbe, ka akuzuar këtë subjekt se e ka kthyer gjuhën e urrejtjes me shqiptarët, por edhe mes vetë serbëve.

“Në atë kohë ka pasur një retorikë të tmerrshme si nga njëra palë, si nga pala tjetër. Sot është kthyer sërish dhe kjo është një gjë shumë e rrezikshme për të gjithë ne”, ka thënë Petroviqi.

Në takimin që është mbajtur në sallën e Kuvendit të Kosovës, Petroviqi iu ka treguar studentëve serbë për funksionimin e Kuvendit të Kosovës, vendet e rezervuara për serbët dhe pakicat e tjera, si dhe pjesëmarrjen e tyre nëpër komisione.

Petroviqi ka thënë se komisioni më i rëndësishëm ku serbët dhe pakicat e tjera përfaqësojnë dhe mbrojnë të drejtat e tyre është Komisioni për të Drejtat, Interesat e Komuniteteve dhe për Kthim, i cili është një nga 4 komisionet e përhershme.
Petroviqi, më 20 mars, është sulmuar fizikisht në një restorant të Prishtinës nga Milan Kostiq, ish-këshilltar i ish-ministrit të Bujqësisë, anëtar i Listës Serbe.

Ai ka thënë se sulmi vjen pas një fushate kundër tij nga Lista Serbe dhe kryetari i Serbisë Aleksandër Vuçiq, pasi “15 vjet udhëheq një politikë të paqes, bashkëjetesës e tolerancës”.

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Zv/ministri i Punëve të Brendshme, Selami Shkodra vizitoi Stacionin e…