Vetëvendosje përkujton masakrën e Izbicës dhe familjes Bogujevci

28 mars 2019 | 14:33

Në 20- vjetorin e masakrës së Izbicës dhe masakrës së familjes Bogujevci e Duriqi në Besianë delegacione të Lëvizjes Vetëvendosje të drejtuara nga deputetë e aktivistë të qendrës së Skenderajt respektivisht Besianës, kanë bërë homazhe duke iu bashkuar familjarëve në dhimbjen dhe përkujtimin për viktimat e krimeve çnjerëzore të Serbisë.

Njëra prej të mbijetuarve të masakrës së familjes Bogujevci,  deputetja e Lëvizjes Vetëvendosje, Saranda Bogujevci, ka rrëfyer para të pranishmëve rrjedhën e kësaj masakre.

Në komunikatën për medie të Vetëvendosjes është thënë se 20 vite më pas Serbia nuk ka dënuar dhe as ka shënjuar ndonjë përgjegjës për këto krime.

“Ashtu si dikur shpërndante trupat e vdekur mbi tokën e Serbisë, sot shpërndan vulën e krimit mbi popullin serb. Kriminelët serbë që kryen krimet më çnjerëzore mbi popullsinë civile, me 11 masakra mbi shqiptarët dhe mbi kufomat, që e zhvarrosën krimin e tyre për ta varrosur nëpër tokat e shtetit të tyre, janë ende të lirë. Për pasojë, Serbia është e burgosur në krimin që po e përjetëson vetë në mënyrë qeveritare. Kriminelët gjenocidalë enden të lirë. Me këtë Serbi, me këtë shtet që shërben si tokë e lirë për kriminelët e luftës, disa mendojnë se ende mund të dialogohet dhe të sigurohet njohja. Këta negociatorë mendjelehtë janë pa dyshim ata që i kanë harruar krimet. Janë po ata që shkojnë deri aty sa i mendojnë të lehtë dhe të shpejtë edhe korrigjimet e kufijve”, është theksuar në komunikatë.

Sipas kësaj partie, në kohën kur po flitet për kompromise të dhimbshme me Serbinë, pranvera 1999 dhe shumë data të ngjashme me të, korrigjojnë më së pari mendjelehtësinë e kujtdo që beson se Serbia ka ndryshuar.

“Kompromisi i dhimbshëm më shumë se ai me Serbinë, është ai i harresës së krimit dhe përjetësimit të krimit mbi njerëzit tanë. Lavdi dëshmorëve dhe martirëve të popullit shqiptar!”, është theksuar më tutje në komunikatën e Lëvizjes Vetëvendosje.

/Epoka e re/ 

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Moska ka thënë arritja e ushtarëve rusë në Venezuelë nuk…