Bankierët e rinj informohen për funksionimin e BQK-së

28 mars 2019 | 15:17

Zyrtarë të Bankës Qendrore të Republikës së Kosovës (BQK) kanë mbajtur të enjten një ligjëratë me bankierët e rinj nga Banka Private e Biznesit, në kuadër të Javës Ndërkombëtare të Parasë në funksion të edukimit financiar.

Para bankierëve të rinj është shpjeguar roli i BQK-së dhe përgjegjësitë e saj.
Shefi i kabinetit të guvernatorit të BQK-së, Nexhat Miftari, ka bërë me dije se Banka Qendrore e Republikës së Kosovës ka si mision të ruajë stabilitetin financiar, të sigurojë sistem efektiv të pagesave dhe furnizim me para të gatshme, si dhe t’i ofrojë këshilla ekonomike Qeverisë dhe subjekteve të tjera publike.

Gjithashtu, ai ka theksuar se BQK-ja edhe pse nuk është e përfshirë në dizajnimin, shtypjen dhe prerjen e monedhës euro, siguron që vendi të ketë sasi dhe cilësi adekuate të monedhës së euros. “Në vitin 2002 BQK-ja themeloi sistemin e pagesave ndër bankare, kurse nga viti 2011 jemi bërë anëtarë të SWIFT-it”, ka deklaruar ai.

Miftari ka folur edhe për mbikëqyrjen bankare ku aktualisht në Kosovë janë të licencuara dhjetë banka, tetë prej të cilave janë me kapital të huaj dhe dy banka me kapital vendor.

“Vlera e gjithsej mjeteve të sektorit bankar në janar të vitit 2019 arriti në 4.163 miliardë euro, duke shënuar rritje vjetore prej 7.6 për qind krahasuar me janarin e vitit 2018. Gjithsej kreditë (bruto) në janar të vitit 2019 ishin në shumë prej 2.75 miliardë euro, të cilat shënuan rritje vjetore prej 11.4 për qind. Depozitat në janar të vitit 2019 evidentojnë 3.348 miliardë euro, duke shënuar rritje vjetore prej 8.4 për qind. Treguesi i kredive joperformuese ishte në normën prej 2.6 për qind në janar të vitit 2019 nga 3.1 për qind sa ishte në janar të vitit 2018”, ka thënë Miftari.

Ai ka shtuar se nivelet e kapitalit të bankave janë të mjaftueshme për të mbështetur profilin e rrezikut të tyre, pasi ato janë mbi minimumin e kërkuar rregullatorë.

Miftari i ka informuar bankierët e rinj edhe për ndryshimet ligjore dhe ato rregullative.

/Epoka e re/

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Kryeqyteti i Gjeorgjisë, Tbilisi, është ndalesa e radhës e xhudisteve…