Përmbyllet programi i USAID-it për lidership transformues

29 mars 2019 | 21:47

Është zhvilluar ceremonia e përfundimit të programit për Lidership Transformues IPSC, program i cili kishte nisur në vitin 2014 me qëllim për të sjellë ndryshime në fushën ekonomike, politike dhe shoqërore të Kosovës dhe që është mbështetur nga USAID-i dhe nga RIT Kosova.

Ndërkaq, qëllimi i programit të Zhvillimit të Politikave Publike në Kosovë dhe Lidershipit (PPDL) ka qenë që të ndihmonte Qeverinë e Kosovës në rritjen e zhvillimit të politikave publike dhe kapaciteteve udhëheqëse në nivel qendror dhe komunal.

Mbi 1 mijë e 500 studentë kanë marrë trajnim në AUPP dhe më shumë se 1 mijë nëpunës civilë kanë marrë trajnim për PPDL.

Në ceremoninë e përmbylljes së këtij programi, Louis Sell, anëtarë i bordit në RIT Kosova, ka thënë se programi ka qenë shumë i suksesshëm.

“Jemi këtu për pjesën e dytë për të shënuar punën e bërë nga shërbyesit publik dhe punonjës të tjerë të sferës publike në Kosovë, pra edhe për trajnimin e tyre për zgjidhje të problemeve të çështjeve të ndryshme në Kosovë me të cilat përballen ata në punën e tyre të përditshme. Kjo ka qenë pjesë përbërëse shumë e rëndësishme e projektit. Ne e pamë që ky është në fakt një mision me rëndësi kritike për ne dhe nëse një person do ta merrte dhe do ta lexonte projektet që kanë punuar studentët tanë, pjesëmarrësit në këtë program do të shihnin se puna që bëjmë ne nuk është vetëm ofrim i trajnimit për njerëzit, por në fakt është ndihmesë konkrete në përballje me sfidat që kanë ata në punën e tyre”, ka deklaruar ai.

Në anën tjetër, Besnik Tahiri, koordinatori Nacional për Reforma Shtetërore në Kosovë, ka thënë se themeli i qeverisës së mirë është shërbimi civil, derisa ka përmendur se disa nga shërbyesit civil që kanë marrë pjesë në këtë program kanë treguar përformancë shumë të mirë në punë, transmeton “KP”.

“Themeli i qeverisjes së mirë është shërbimi civil dhe vendimet e mira merren vetëm atëherë kur me të vërtetë ka programe si ky program që me një disiplinë shumë të madhe, me një interaksion shumë serioz, me një përkushtim shumë profesional realizohen programet të cilat janë të matshme, të cilat janë mirë të përgatitura dhe i nënshtrohen një vlerësimi siç ka ndodhur në trajnimet, programet dhe kurset që ju keni mbajtur. Duke e thënë këtë, unë personalisht kam takuar shumë zyrtarë publikë të cilët kanë qenë pjesë e këtij programi dhe të cilët me një pasion shumë të madh kanë folur për programin. Ajo që unë mund të them është se fal këtij programi kanë marrë iniciativa që ndërlidhen me një politikbërje më të mirë, me një veprim më të mirë në punën e vet. Shpirti i shtetit qëndron tek ju, tek shërbyesit civil”, u shpreh ai.

Drejtoresha e misionit të USAID-it në Kosovë, Lisa Magno, ka thënë se ia ka vlejtur çdo para që është shpenzuar për këtë projekt.

“Ne presim gjithmonë maksimumin nga investimet tona, prandaj unë dua të dëgjoj për sukseset tuaja pas tri vitesh apo pesë vitesh nga tash. Në partneritet me RIT Kosova kemi zhvilluar programet e zhvillimit profesional. Kosova ka 65 për qind të popullatës së saj nën moshën 25 vjeçare, pra ka popullatë të re dhe prandaj investimi në rini nuk është opsion, është domosdoshmëri. Të gjithë ju kontribuoni në lulëzimin dhe zhvillimin e Kosovës, prandaj unë ju lus kur të ktheheni në zyrat tuaja mos pyeteni vetëm pse, por pyetni edhe pse jo. Mos u thelloni shumë në problemet, sepse probleme dhe sfida ka shumë dhe ndonjëherë ato duken si një mal i madh i pakalueshëm, por hapuni mundësive”, tha ajo.

Magno duke iu drejtuar shërbyesve civil, tha se ata kanë gjithçka që ju duhet dhe duhet të bëjnë gjëra të mira për Kosovën.

Kurse, Ylberina Morina Mala, drejtoreshë e programit TLP IPSC, ka treguar për disa nga sukseset që ka arritur ky projekt

“Pas 5 vitesh të zbatimit të programit, sot shënojmë përmbylljen e programit të lidershipit transformues e kurseve të mbajtura në RIT Kosova në AUK. Disa nga arritjet që duhet t’i përmendim që janë si pjesë e trashëgimisë tonë. E para është, kurset online, ne kemi krijuar një platformë të e-mësimit dhe ideja e krijimit të këtyre kurseve në internet rrjedh nga programi i parë, synimi i të cilit ka qenë që t’i shërbejë publikut të përgjithshëm që të mësojnë. E dyta ka qenë libri referues i politikave. Një komponentë e programit zbuloi se Kosova ka mungesë të literaturës sa i përket politikës publike, po ashtu u vërejt se kjo mungesë e materialeve për politikë publike shkakton vështirësi në të mësuar dhe me qëllim të pasqyrimit të zhvillimeve në Kosovë ne kemi vendosur që të grumbullojmë ekspertiza të shumta dhe të përpilojmë një libër për politika publike”, tha ajo.

Në kuadër të këtij projekti, sot janë promovuar libri “Parimet dhe Praktikat e Politikave Publike në Kosovë” dhe materiali “Problemet Reale, Zgjidhjet e Mundshme: Propozimi i Politikave të Përzgjedhura”.

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Me kërkesën e ministrit të Zhvillimit Ekonomik, (MZhE), Valdrin Lluka,…