Në qershor “Zambaku i Prizrenit 2019”, ftohen kompozitorët dhe interpretuesit

29 mars 2019 | 22:49

Zambaku i Prizrenit në historikun e tij kishte për qëllim mbrojtjen dhe promovimin e vlerave kulturore përmes këngës së lehtë si dhe ishte fryt i punës aktive të shumë aktivistëve kulturorë prizrenas. Ai është themeluar nga institucionet e atëhershme kulturore të Kosovës, si ngjarje e vetme kulturore që kultivon zhanrin e muzikës së lehtë, si baladat, shansonet e serenatat.

Zambaku i Prizrenit përveç karakterit reprezentativ, çdo vit është shquar edhe me kultivimin e artistëve dhe këngëve të reja, të cilat kanë lënë gjurmë të pashlyeshme në repertoarin e muzikës së lehtë, duke afirmuar personalitete të njohura të muzikës si këngëtarë, kompozitorë, poetë, instrumentistë, etj, të cilët i kanë begatuar vlerat e mirëfillta muzikore të vendit tonë.

Sivjet festivali shënon edicionin e tij të tridhjetë. Këshilli organizativ i festivalit të propozuar nga institucioni/organizata që përfaqësojnë dhe i emëruar nga kryetari i Komunës së Prizrenit z. Mytaher Haskuka, në fillim të këtij muaji ka hapur konkursin për këngët pjesëmarrëse në festival, i cili do të mbahet në qershor të këtij viti. Konkursi mbetet i hapur deri në fund të muajit prill.

Këshilli fton të gjithë krijuesit dhe interpretuesit e këngës së muzikës së lehtë nga të gjitha trevat shqiptare të konkurrojnë për pjesëmarrje në këtë edicion. Kënga e kënduar, e orkestruar, e kompletuar në të gjithë elementët përbërëse të saj dhe e regjistruar në CD, duhet të dorëzohet me një zarf në zyrat e Drejtorisë për Kulturë, Rini dhe Sport të Komunës së Prizrenit (në zarf të hapur me shifër, kurse në zarf të mbyllur jepen të dhënat për autorin e muzikës, të orkestruesit dhe të tekstit).

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Lëvizjes Vetëvendosje!, në Drenas sot i janë bashkuar dhjetëra gra…