Ish-ministri Hasani përkujton gjyshërit martirë, kujton porositë që ia lanë

30 mars 2019 | 11:54

Ish-ministri i Tregtisë dhe Industrisë, Bajram Hasani, në 20-vjetorin e martirizimit të gjyshërve të tij ka kujtuar ata. 

Hasani përmes një postimi në llogarinë e vet në “Facebook” ka kujtuar fjalët e porositë që ua kanë lënë gjyshërit të cilët 20 vjet më parë u vranë barbarisht nga serbët, të cilët nuk kursyen as të moshuarit. 

Në 20-vjetorin e martirizimit të tyre, ish-ministri Hasani me familjarë kanë vendosur kurora lulesh dhe janë përulur para varrit të tyre.

Postimi i plotë i tij:

Liria është shumë e shtrenjtë, sepse atë e paguam  me jetën dhe gjakun e më të dashurve tanë. 

Sot bëhen 20 vjet nga rënia e gjyshërve të mi Miradijes e Ukshinit. Ata nuk patën asnjë faj,  qëndruan në votrën shekullore, në derën e shtëpisë së tyre dhe u vranë nga xhelatët. Të paarmatosur po me dinjitet gjyshi e gjyshja ju bashkuan karvanit të martirëve e dëshmorëve të kësaj toke.  

Nuk i harroj as sot e kësaj dite fjalët e gjyshes që na thoshte se secili duhet ta kryejë obligimin njerëzor që  ka ndaj  Atdheut dhe ndaj Zotit. 

Nëse në luftë kishim detyrë që duke u flijuar deri në vdekje ta kryenim detyrën ndaj atdheut, sot kjo detyrë përmbushet duke punuar ndershëm, duke mos e vjedhur  e plaçkitur vendin tënd. Vetëm kështu mund të ecim tutje dhe të nderojmë ata që ranë. 

Gjyshe e gjysh, JU  jetoni përjetësisht në altarin e lirisë së kësaj tokë!

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Në fushë është i fortë dhe i vendosur, por jashtë…