SBAShK-u: S’do të ketë kompensim të orëve gjatë pushimit pranveror

31 mars 2019 | 13:37

Me qëllim që të njoftohet edhe njëherë opinioni, Sindikata e Bashkuar e Arsimit, Shkencës dhe Kulturës (SBAShK) ka përsëritur se nuk ka zëvendësim të  orëve të humbura as gjatë pushimit pranveror e as vikendeve.

Sindikata ka bërë me dije se pushimi pranveror nga data 1 deri më 5 prill 2019 do të fillojë sipas kalendarit shkollor 2018-2019.

Sipas SBAShK-ut, gjatë dy ditëve të fundit është tentuar që të krijohet një paqartësi nga ndonjë këshill  i prindërve duke ju bërë thirrje  prindërve që të dërgojnë fëmijët në shkollë pasi që mësimdhënësit qenkan në shkollë.

“SBAShK-u  njofton edhe prindërit edhe nxënësit, por edhe opinionin e gjerë se mësimdhënësit pavarësisht a janë në vendin e punës a jo zhvillim të procesit mësimor për t’i zëvendësuar ditët e humbura të grevës nuk do të ketë. Nuk  është mirë  të krijohen  tensione shtesë sepse edhe kështu mësimdhënësit e Kosovës janë tepër të revoltuar e sidomos pas fyerjeve që u bënë nga dy deputetët  e Kuvendit të Kosovës ditën e enjte në seancën e jashtëzakonshme e aq më shumë pse  prindërit nuk reaguan në mbrojtje të mësimdhënësve të fëmijëve të tyre”, është thënë në njoftimin e SBAShK-ut.

SBAShK-u për të hënën ka ftuar kryesin dhe kryetarët e sindikatave komunale të arsimit parauniversitar të të gjitha komunave me qëllim që të analizojë se si është situata gjatë pushimit pranveror dhe a ka presione ndaj anëtarësisë.

Varësisht nga informatat që marrin, SBAShK-u ka theksuar se do të marrë veprime sindikale, duke mos përjashtuar edhe shpalljen e grevës në komunat ku ka presione e nëse presione do të ketë në shumicën e komunave do të shkohet në grevë të përgjithshme  në nivel vendi.

“I ftojmë mësimdhënësit nëse nesër, eventualisht bëhet presion përmes nxënësve me tentim që të hyjnë në klasa, gjoja për të zhvilluar mësim, në ato momente mësimdhënësit le të lëshojnë objektet shkollore  në shenjë proteste”, është theksuar më tutje në njoftimin e SBAShK-ut.

SBAShK-u ka ftuar  kryetarët e komunave të Kosovës të bisedojnë  me drejtorët e DKA-ve për t’i lënë të qetë mësimdhënësit e mos të ushtrojnë presione për zbatimin  vendimit të ministrit Bytyqi deri në vendimin përfundimtar të gjykatës. “Gjithashtu falënderojmë disa kryetar të komunave qe kanë mirëkuptuar kërkesat e SBAShK-ut. Nxënësve ju dëshmojmë pushime të mira pranverore nga data 1 deri 5 prill 2019”, është thënë në njoftimin e SBAShK-ut.

/Epoka e re/

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Tre persona janë proceduar në gjendje të lirë nga policia…