Berlusconi do të garojë në zgjedhjet evropiane

31 mars 2019 | 17:32

Ish-kryeministri italian, Silvio Berlusconi ka kërkuar rikthimin në politik. E ndërsa në politikën e brendshme nuk ka mundur të gjejë ende hapësirat e duhura, ai po i kthen sytë tani nga zgjedhjet evropiane.

Ai ka deklaruar se do të kandidojë në zgjedhjet e majit për Parlamentin Evropian, sepse do të luftojë për një BE më të bashkuar, besnike ndaj vizionit të themeluesve të bllokut.

Berlusconi ka folur në një konventë të partisë së tij të qendrës së djathtë, “Forza Italia”, që vitet e fundit ka njohur një rënie të mbështetjes, pasi votat i kanë shkuar partive të djathta euroskeptike dhe me mesazhe antiemigrantë, veçanërisht “Lega Nord”-it.

“Me politikat e saj të kursimit, burokracitë e saj, kufizimet e shumta që u janë vendosur shteteve, paratë që u merren shteteve dhe shpenzohen keq…Evropa duhet të ndryshojë, e për ta ndryshuar atë, aleancat duhen ndryshuar”, ka thënë Berlusconi.

Në një tubim të mbajtur në Romë, me rastin e 25-vjetorit të partisë së tij, Berlusconi ka thënë se, pavarësisht moshës së tij të thyer tashmë, ai do të hynte në zgjedhjet evropiane.

“Duket se, nevoja e pranisë sonë të rëndësishme brenda Partive Popullore Evropiane është më e madhe sesa kurrë. Kjo më ka shtyrë të provoj sërish, pavarësisht moshës sime të shkuar, të jem i pranishëm në Bruksel për të luftuar edhe këtë betejë të radhës”, ka thënë Berlusconi.

Sidoqoftë, Berlusconi ka thënë të shtunën se ai do të luftojë që Evropa të rikthehet te projekti i etërve themelues, që donin një union më të bashkuar, një Evropë me një politikë të jashtme dhe me një politikë të përbashkët të mbrojtjes. /Top Channel/

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Kryeministri i Kosovës, Ramush Haradinaj, ka postuar një fotografi në…