Vazhdimi i dialogut, pas zgjedhjeve në BE

01 prill 2019 | 12:01

Analisti politik Behxhet Shala ka thënë të dielën se procesi i dialogut Kosovë – Serbi nuk mund të vazhdojë pa përfunduar zgjedhjet në Parlamentin Evropian.

Ai ka thënë për gazetën “Epoka e re” se tani për tani nuk ka kushte për vazhdimin e këtij procesi.

“Na ndajnë dy muaj nga zgjedhjet në Parlamentin Evropian, prandaj për këta dy muaj nuk besoj se mund të arrihet ndonjë përparim në procesin e dialogut, aq më parë kur deri tani ka pasur vendnumërim. Njëherë përnjëherë nuk ka kushte për dialog. Edhe Serbia, si duket, nuk është e interesuar për dialog dhe po e përdor heqjen e taksës si pretekst. Në fakt, taksa nuk do të duhej t’i pengonte sepse deri më tani dialogu ka qenë i pakushtëzuar. Ndërkaq edhe Kosova nuk po e heq taksën dhe në një farë mënyre nuk është e interesuar për dialog”, është shprehur Shala, duke shtuar se Kosova dhe Serbia kanë frikë nga vazhdimi i dialogut.

“Të dy vendet sikur kanë frikë për vazhdimin e dialogut sepse ky dialog dhe një marrëveshje eventuale siç po flitet në opinion është marrëveshje që ua ‘han kokën’ Vuçiqit dhe Thaçit. Domethënë, as Vuçiqi e as Thaçi nuk kanë interesim ta arrijnë një marrëveshje siç po supozohet. Prandaj po gjejnë arsye për ta shtyrë dialogun dhe arsye më të mirë për ta bërë këtë nuk ka sesa zgjedhjet që do të mbahen në Bashkimin Evropian. Përbërja aktuale nuk ka mandat për ta çuar deri në fund këtë proces, por po pritet përbërja e re e Parlamentit Evropian. Kjo është një mundësi e mirë për të gjithë ata që nuk duan ta vazhdojnë dialogun Kosovë – Serbi. Është një mundësi e mirë edhe brenda disa shteteve të BE-së ta shtyjnë dialogun për faktin se kanë hezitime se kjo marrëveshje nuk mund ta zgjidhë çështjen midis Kosovës dhe Serbisë”, ka deklaruar ai.

Shala ka vlerësuar se vazhdimi i dialogut në këtë periudhë nuk do të kishte efekt sepse, sipas tij, BE-ja nuk ka kohë të merret me këtë proces.

Ai ka theksuar se Federica Mogherini e ka bastarduar procesin e dialogut për normalizimin e raporteve ndërmjet dy vendeve. “Vetëm Federica Mogherini me ekipin e saj mund të merren me dialog, por edhe kësaj i ka humbur kuptimi sepse ajo i ka ndërruar kahen dialogut, e ka bastarduar dialogun. Ne vend se ta kemi një dialog për zgjidhjen dhe arritjen e një marrëveshje të pranueshme për të dyja palët, ajo ofron një zgjidhje bastarde e cila vetëm sa do të hapë probleme në të ardhmen. Është një situatë interesante, nuk ka interesim prej shteteve të BE-së që të vazhdohet dialogu. Së paku ata e thonë deklarativisht, mirëpo jo që këmbëngulin për këtë dialog. Megjithatë, është një disponim i përgjithshëm evropian që të mos ketë dialog, aq më parë që ata janë të preokupuar me zgjedhjet në BE, fitimin e mandateve të reja dhe hartimin e një garniture tjetër udhëheqëse për politikë të jashtme, meqë kemi parë shumë shtete evropiane që nuk janë të kënaqura me udhëheqjen e Mogherinit dhe Hahnit”, ka thënë Shala, duke shtuar se është e çuditshme se vetëm amerikanët janë duke bërë presion për rifillim të dialogut. Sipas tij, letra e presidentit amerikan është me shumë paqartësi.

“Është për çudi që presioni më i madh për vazhdimin e dialogut po vjen nga amerikanët dhe pikërisht nga ajo letra e Trumpit e cila, për bindjen time, nuk ka diçka pozitive për Kosovën. Është letër me shumë të panjohura dhe më shumë paqartësi e cila pas një kohe mund t’i vendosë para aktit të kryer dhe pas së cilës nuk mund të bëhet asnjë korrigjim, pavarësisht nëse palët do të ndahen apo jo të kënaqur me një marrëveshje eventuale. Prandaj mendoj se për vazhdimin e dialogut duhet të presim për disa muaj”, ka deklaruar Shala.

Edhe ish-ministrja për Dialog, Edita Tahiri, ka thënë se për të vazhduar dialogu i Brukselit ndërmjet dy shteteve duhet pritur udhëheqësin e re të Bashkimit Evropian.

Ajo ka vlerësuar se tani nuk është koha për marrëveshjen përfundimtare Kosovë – Serbi. Tahiri e ka akuzuar shefen e politikës së jashtme të BE-së, Federica Mogherini, se ka tradhtuar parimet evropiane. “Qëndrimi ynë si Kosovë duhet të jetë që të mos kemi marrëveshje në këtë kohë. Pra, të presim të shkojë Mogherini e cila ka tradhtuar parimet evropiane dhe t’i presim ndryshimet në udhëheqjen e BE-së. Shpresojmë të vijë një udhëheqje që mbron parimet evropiane të integrimit të gjashtë vendeve të Ballkanit Perëndimor në BE ashtu siç është konfirmuar edhe me strategjinë e fundit për zgjerim të BE-së”, ka deklaruar Tahiri për gazetën “Epoka e re”.

/Epoka e re/

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Sipas Anketës së Fuqisë Punëtore (AFP) për tremujorin e katërt…