Për katër vjet, rreth 350 mijë aplikime për viza

01 prill 2019 | 16:40

Kosova është vendi i vetëm në rajonin e Ballkanit Perëndimor, ndaj të cilit Bashkimi Evropian (BE) aplikon regjimin e vizave.

Shtetasit e Kosovës për të udhëtuar në këto vende duhet të aplikojnë për viza në misionet diplomatike të shteteve anëtare të Bashkimit Evropian të akredituara në Kosovë dhe në vendet e rajonit.

Sipas të dhënave të publikuara nga Ministria e Punëve të Brendshme në raportin e titulluar “Profili i zgjeruara i migrimit 2013 – 2017”, që si burim ka sistemin e informimit për Viza Shengen, brenda katër vjetësh, thuhet të jenë regjistruar 337 322 kërkesa të përgjithshme për viza.

Në këto të dhëna përfshihen vitet 2013 – 2017, me përjashtim të vitit 2014 për të cilin vit mungojnë të dhënat. Kurse të dhënat për vitin 2018 ende nuk janë publikuar.

Gjermania prin me numrin më të madh të kërkesave për viza Shengen, pasur nga Zvicra, Italia, Greqia, Hungaria, Sllovenia dhe shtetet tjera.

Nga numri i përgjithshëm i aplikimeve për vizë Shengen, vendime pozitive apo viza të lëshuara janë rreth 80 për qind, derisa janë refuzuar vetëm 20 për qind e kërkesave të aplikantëve.

Një qytetari të Kosovës, aplikimi dhe marrja e një vize Shengen i shpenzon kohë dhe para. Po ashtu, rezultati i pritjes për vizë, jo gjithherë është pozitiv, derisa shpenzimet nuk i kthehen aplikuesit.

Verona, një profesoreshë e gjuhës angleze, tregon se ka aplikuar shumë herë për t’u pajisur me vizë Shengen. Ajo ka thënë se nuk i është refuzuar asnjëherë viza për cilindo shtet ku ka aplikuar, por sipas saj, procedurat i kanë marrë kohë dhe kanë qenë të mundimshme.

“Mos të them, por gati çdo vit aplikoj për vizë në ndonjë nga shtete e Bashkimit Evropian. Kam bërë aplikim për vizë në Gjermani, Zvicër Itali, më së shumti vizën ma kanë lëshuar për 3 muaj. Zakonisht kam kërkuar vizë turistike, pasi që kam dashur të vizitojë të afërmit e mi dhe të shëtis këto vende. Është maltretim i madh, dokumentet të cilat i kërkojnë në shumë raste janë të panevojshme, por që duhet t’i kesh, nëse nuk i ke ato dokumente që i kërkojnë normal që ta refuzojnë vizën”, ka thënë ajo.

Shkrimin e plotë mund ta lexoni në këtë linik: https://www.evropaelire.org/a/per-kater-vjet-rreth-350-mije-aplikime-per-viza-/29854807.html.

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, ka kërcënuar të hënën drejtuesit…