Trumpi vazhdon kërcënimet për mbylljen e kufirit me Meksikën

02 prill 2019 | 11:31

Uashingtoni është përqendruar përsëri tek imigracioni dhe siguria kufitare pasi presidenti Donald Trump kërcënoi ta mbyllë kufirin jugor të Amerikës me Meksikën dhe deklaroi se synon ndërprerjen e ndihmave të Shteteve të Bashkuara për tri vende të Amerikës Qendrore.

Lëvizjet e presidentit Trump vijnë ndërsa po ndodh një rritje e vazhdueshme imigrantësh të paligjshëm, që kanë vënë në pozita të vështira burimet dhe personelin federal përgjatë kufirit amerikano-meksikan. Sipas Departamentit të Sigurisë Kombëtare, prurjet e imigrantëve përgjatë kufirit jugor të Amerikës janë rritur në 97 për qind krahasuar me një vit më parë, ndërsa ndalimet mesatare ditore arrijnë në 2 000 individë, kryesisht nga Amerika Qendrore.

Presidenti Trump ka premtuar veprim. “Tani kemi dy karvanë të mëdhenj që vijnë nga Guatemala, karvanë masivë që lëvizën lehtësisht përmes Meksikës. Meksika e ka forcën, por ata vendosën të mos i ndalojnë dhe në se ata nuk e bëjnë një gjë të tillë, ne do të mbyllim kufirin. Dhe do ta mbajmë të mbyllur për një kohë të gjatë, unë nuk luaj lojëra”, tha presidenti.

Një hap i tillë nuk është i paprecedent. Në vitin 1985, presidenti i atëhershëm, Ronald Reagan, mbylli përkohësisht pikat e shumta të hyrjes për të protestuar rrëmbimin e një agjenti amerikan kundër drogave në Meksikë. Mbyllja e kufirit për një periudhë të gjatë do të dëmtonte rëndë tregtinë mes dy vendeve, që arrin në më shumë se 500 miliardë dollarë në vit.

Ministri i Jashtëm i Meksikës, Marcelo Ebrard, reagoi ndaj presidentit Trump në Twitter, duke thënë se Meksika nuk u përgjigjet kërcënimeve dhe se do të merret me çështjet e migrimit me përgjegjësi dhe me respekt.

Ligjvënësit në Uashington po reagojnë. Senatori demokrat nga Nju Meksiko Tom Udall shkroi në Twitter se kufiri ShBA-Meksikë “është një mishërim i tregtisë, aktivitetit ekonomik dhe gjallërisë kulturore” dhe se mbyllja e pikave kufitare do të sillte 1.4 miliardë dollarë humbje në ditë.

Demokratët që konkurrojnë për të sfiduar Trumpin në garën presidenciale të vitit të ardhshëm gjithashtu po reagojnë. “Ne jemi të sigurt, edhe pse jemi një qytet imigrantësh dhe azilkërkuesish. Jemi të sigurt pikërisht nga ky fakt. Ne kemi mësuar të mos i kemi frikë dallimet tona, por t’i respektojmë dhe t’i përqafojmë ato”, tha kandidati presidencial Beto O’Rourke.

Shtëpia e Bardhë thotë se presidenti Trump nuk ka zgjidhje tjetër veçse të marrë masa drastike. “Demokratët nuk do të na japin ndonjë fond shtesë për ta bërë këtë, nuk do të na japin burime njerëzore shtesë dhe, më e rëndësishmja, nuk do të ndryshojnë ligjin që vepron si një magnet gjigant për njerëzit që vijnë nga Amerika Jugore dhe Qendrore. Përballë këtyre kufizimeve, presidenti do të bëjë gjithçka që mundet. Nëse kjo arrihet me mbylljen e pikave kufitare, atëherë kjo është pikërisht ajo që presidenti do të bëjë”, tha shefi i personelit të Shtëpisë së Bardhë në detyrë, Mick Mulvaney.

Presidenti Trump tha se dëshiron që ndihma amerikane për El Salvadorin, Guatemalën dhe Hondurasin të ndalet – diçka kjo që do të kërkonte veprimin e Kongresit.

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Qeveria e Serbisë ka angazhuar kompaninë “Cleary Gottlieb Steen &…