Ashpërsohet lufta e fjalëve SHBA-Turqi

05 prill 2019 | 14:47

Një luftë fjalësh midis Shteteve të Bashkuara dhe Turqisë është intensifikuar për shkak të Sirisë.

Ankaraja kritikoi fuqishëm deklaratat e Departamentit amerikan të Shtetit në lidhje me një takim të sekretarit amerikan të Shtetit, Mike Pompeo, me ministrin e Jashtëm turk, Mevlut Cavusoglu, në margjina të ceremonive për 70-vjetorin e themelimit të NATO-s, në Uashington.

Departamenti i Shtetit tha se Pompeo e paralajmëroi Turqinë për “pasoja potencialisht shkatërruese” nëse Ankaraja nis ofensivë në Siri dhe se ai kërkoi “zgjidhjen e shpejtë” të rasteve ligjore që përfshijnë “qytetarët amerikanë të burgosur padrejtësisht” në Turqi.

Ministria e Jashtme e Turqisë tha se ky njoftim nuk pasqyron përmbajtjen e takimit dhe se përfshin çështje që nuk u diskutuan.

Cavusoglu tha se është “vërtet i befasuar” me interpertimin që i ka bërë SHBA-ja takimit të tij me Pompeon.

“Unë isha atje … një gjuhë e tillë kurrë nuk u përdor. Për Sirinë veçanërisht, ata kurrë nuk përmendën gjëra të tilla në lidhje me veprimet e njëanshme të Turqisë”, u tha Cavusoglu gazetarëve.

I pyetur për vërejtjet e Turqisë, Pompeo tha se qëndron prapa interpretimit që i ka bërë Departamenti amerikan i Shtetit takimit të tij me Cavusoglun.

Shtetet e Bashkuara dhe Turqia mbështesin grupe të ndryshme rebele në luftën e Sirisë./rel/

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Veterani i luftës së Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës (UÇK), Ahmet…