Opozita: Dialogut me Serbinë i mungon legjitimiteti

05 prill 2019 | 16:47

Në ambientet e Kuvendit të Kosovës, grupi parlamentar i Lëvizjes Vetëvendosje dhe ai i Lidhjes Demokratike të Kosovës, kanë organizuar tryezën me temën “Kushtetutshmëria dhe përgjegjësitë institucionale në procesin e dialogut me Serbinë”.

Kjo tryezë është hapur nga kryetarët e grupeve parlamentare, Glauk Konjufca dhe Avdullah Hoti.

Pjesë e kësaj tryeze kanë qenë profesorë dhe pjesëtarë nga organizata të shoqërisë civile dhe medie.

Në panelin diskutues kanë marrë pjesë edhe Taulant Kryeziu nga Instituti “Epik”, Jeta Krasniqi nga Instituti Demokratik i Kosovës dhe Dastid Pallaska nga “Pallaska & Associates”.

“Pas dorëzimit në Gjykatën Kushtetuese nga dy subjektet opozitare të Ligjit për dialogun, tashmë debatin për kushtetutshmërinë e procesit të dialogut po e shtrijmë edhe më gjerë me profesionistët e fushës. I ashtuquajturi proces përfundimtar i dialogut ka ndezur një debat me papajtueshmëri të gjerë shoqërore. Shumë qëndrime të përfaqësuesve politikë në pushtet kanë qenë kundërthënëse dhe konfuze. Paqartësia e krijuar prej mungesës së transparencës, ka bërë që qytetarët ta humbin besimin te kjo mënyrë e të përgatiturit për dialog. Si pasojë ka shqetësim gjithnjë e më të madh për rezultatet, nëse procesi vazhdon në të tilla binarë. Integriteti i Kosovës nuk mund të shtrohet për diskutim dhe negocim, ndërsa dialogu nuk mund të zhvillohet nga institucione pa legjitimitet”, ka njoftuar Vetëvendosje.

Sipas këtij njoftimi, dialogu vitin e kaluar i ishte dorëzuar presidentit Hashim Thaçi nga kryeministri Ramush Haradinaj me deklaratën se do të merrej vetëm me punët e shtëpisë.

“Ndërsa mungesës së legjitimitetit të qeverisë me 52 deputetë, përgjatë rrugës i ka ardhur në ndihmë një grup deputetësh të cilët ia tradhtuan besimin qytetarëve që i votuan për qëndrime të kundërta. Dialogu për këtë fazë përfundimtare nuk mundet të vazhdojnë në këtë mënyrë, pa legjitimitet dhe me një president tejet problematik. Kjo fazë përfundimtare duhet kthyer në pikën zero për t’u rimenduar me një legjitimitet të ri dhe në binarë kushtetues”, është thënë në njoftimin e partisë që drejtohet në Albin Kurti.

Në përfundim të kësaj tryeze janë miratuar edhe disa konkluza të cilat kanë të bëjnë me dialogun ndërmjet Kosovës dhe Serbisë. Këto konkluza përfshijnë: karakterin unitar dhe kufijtë e Kosovës janë të panegociueshëm; nevojën për rilegjitimim të institucioneve; nevojën për konsensus të plotë në raport me dialogun pasi i mungon legjitimiteti, etj.  “Dy subjektet opozitare do ta vazhdojnë përpjekjen për ta futur Kosovën brenda binarëve kushtetues, për t’ia garantuar integritetin territorial dhe për t’i dhënë legjitimitet politik institucioneve të saj”, është thënë në njoftimin për media.

/Epoka e re/

 

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Aktivistja e hershme, gazetarja, publicistja, reporterja e luftës, ushtarja e …