Hoti merr përkrahjen e Ahmetit për Programin Nacional për Rininë

05 prill 2019 | 17:02

Koordinatori Nacional për Kulturë, Rini dhe Sport në Qeverinë e Republikës së Kosovës, Rexhep Hoti, është takuar me kryetarin e Komunës së Prishtinës, Shpend Ahmeti.

Hoti e Ahmeti kanë biseduar për Programin Nacional për Rininë dhe mbarëvajtjen e garave në kreativitet kulturor dhe mendim kritik.

“Programi Nacional për Rininë u ofron të gjithë nxënësve pa dallim mundësinë të jenë pjesë e garës në kreativitet kulturor e mendim kritik, në dituri dhe sport. Nga rezultatet që kemi nga shkollat e Komunës së Prishtinës, mbi 50 shkolla e kanë përfunduar garën në nivel shkollë dhe ky është një rezultat shumë pozitiv. Në nivelin komunal pres nga ju që të mbështesni Drejtorinë Komunale të Arsimit sepse ka një numër të madh të nxënësve fitues”, ka thënë Hoti.

Ndërsa, kryetari i Prishtinës, Shpend Ahmeti, ka shprehur gatishmërinë e tij për ta mbështetur Programin Nacional për Rininë.

“Unë e kam lexuar programin dhe ju përgëzoj për punën që keni bërë dhe ju them se e keni përkrahjen time për çka do që të jetë nevoja. Edhe fëmijët e mi janë bërë pjesë e kësaj gare prandaj po e shoh efektin e saj nga afër. Gara është motivim shtesë për fëmijët dhe unë i përkrah shumë aktivitetet ekstrakurikulare”, ka thënë Ahmeti.

Garat në kreativitet kulturor dhe mendim kritik në nivel komune janë duke u mbajtur nga 30 marsi deri më 13 prill.

/Epoka e re/

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Ministrat e Jashtëm të Bashkimit Evropian dhe të gjashtë republikave…