Hoxha: Kosova beson në vizionin e BE-së si rruga e vetme për paqe dhe stabilitet

08 prill 2019 | 16:22

Në Portugali është duke u mbajtur Konferenca Globale Horasis, në të cilën janë pjesëmarrësve nga dhjetëra vende të botës.

E pranishme në këtë konferencë është edhe ministrja e Integrimit Evropian, Dhurata Hoxha, e cila ka diskutuar në panelin me temën “Udhëheqja e botës jashtë baraspeshës”, duke cekur rëndësinë e nxitjes së bashkëpunimit dhe rritjen e mirëqenies së qëndrueshme në botë.

“Kemi shqetësime për brishtësinë e paqes globale dhe stabilitetit në dritën e rritjes së populizmit, ndarjeve ekzistuese ekonomike, ne gjithashtu e dimë se integrimi dhe hapja mbetet atuja jonë më e mirë për të ardhmen. Vetëm duke qenë i hapur me njëri-tjetrin dhe duke u bashkuar me përpjekjet, mund të jemi në gjendje të zgjidhim në mënyrë efektive sfidat e përbashkëta me të cilat ballafaqohemi”, ka potencuar ministrja Hoxha.

Ajo ka theksuar rëndësinë e qeverisjes gjithëpërfshirëse, në veçanti pjesëmarrjen e barabartë dhe përfaqësimin adekuat të grave. “Kur gratë janë pjesë e forcës së punës – ekonomitë përparojnë, kur ato janë pjesë e proceseve sociale – shoqëritë rriten dhe kur ato janë pjesë e proceseve të negocimit të paqes, paqja ka më shumë gjasa të jetë e qëndrueshme”, ka thënë ajo.

Ministrja Hoxha ka cekur rolin e palëkundur që BE-ja ka luajtur historikisht në nxitjen e bashkëpunimit të bazuar në interesa reciproke, duke i kthyer armiqtë e mëparshëm në aleatë, duke inkurajuar qarkullimin e lirë të mallrave dhe shërbimeve, dhe duke e mbajtur paqen në Evropë për më shumë se 70 vjet.

Ministrja Hoxha ka thënë se BE-ja ofron alternativën e vetme për paqe të qëndrueshme dhe zhvillim të qëndrueshëm.

“Perspektiva e integrimit në BE vazhdon të jetë një imperativ i fortë për Kosovën, si dhe për rajonin e Ballkanit Perëndimor në tërësi, që t’i nënshtrohen reformave në sistemin politik dhe ekonomik dhe të shërbejë si platformë për bashkëpunimin rajonal. Nën udhëheqjen e BE-së ne jemi të gatshëm t’i nënshtrohemi të gjitha këtyre proceseve të gjata dhe të përmbushim të gjitha kriteret që na bëjnë të pranueshëm për anëtarësimin në BE, sepse ne besojmë fort në vizionin e BE-së si rruga e vetme për paqe dhe stabilitet”, ka thënë ministrja Hoxha.

/Epoka e re/

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Administrata Tatimore e Kosovës (ATK), ka ndërmarr veprime ligjore ndaj…